image Irani thotë se amerikanët dhe britanikët nuk do të arrijnë asgjë me sulmet ndaj Houthive

Botë

Irani thotë se amerikanët dhe britanikët nuk do të arrijnë asgjë me sulmet ndaj Houthive

news image

Irani ka kritikuar ashpër sulmet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe ndaj objektivave Houthi në Jemen, duke i quajtur ato “arbitrare” dhe “shkelje të ligjit ndërkombëtar”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Nasser Kanani tha se Irani, i cili mbështet Houthit, si dhe militantët e Hamasit dhe Hezbollahut në Liban, “dënon fuqishëm sulmet ushtarake … këtë mëngjes në disa qytete të Jemenit”.“(Sulmet) ishin një akt arbitrar, një shkelje e qartë e sovranitetit dhe integritetit territorial të Jemenit dhe një shkelje e ligjeve e rregullave ndërkombëtare”, tha ai, raporton france24. SHBA, Britania e Madhe dhe aleatët thanë në një deklaratë të përbashkët pas sulmeve ajrore se qëllimi i tyre ishte të “zhvlerësonin tensionet dhe të rivendosnin stabilitetin në Detin e Kuq”.

Por, Kanani paralajmëroi se sulmet “nuk do të kenë asnjë rezultat tjetër përveçse të inkurajojnë pasigurinë dhe paqëndrueshmërinë në rajon”, si dhe “të shkëpusin vëmendjen e botës nga krimet në Gaza”, ku Izraeli po lufton Hamasin.

Ndryshe, një zëdhënës ushtarak i Houthive tha se 73 sulmet rezultuan në vdekjen e pesë luftëtarëve të tyre dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve.

/GazetaSinjali/