image IPK konfirmon arrestimin e punonjësit të Policisë së Kosovës, këta janë hapat që u ndërmorrën ndaj tij

Siguri

IPK konfirmon arrestimin e punonjësit të Policisë së Kosovës, këta janë hapat që u ndërmorrën ndaj tij

news image

Gjatë ditës së sotme Gazeta Sinjali duke u thirrur në burime të veta, raportoi se Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një punonjës nga stafi civil i Policisë, nën dyshimet për veprën penale ‘vrasje në tentativë’.

Ngjarja kishte ndodhur mesditën e djeshme rreth orës 12:00 në fshatin Gadime e Ulët e Lipjanit. Ku, siç mëson Gazeta Sinjali, punonjësi i policisë fillimisht e kishte goditur qëllimisht me veturë viktimën mashkull dhe më pas kishte tentuar ta godas me mjet të fortë.

Këto informacione i ka konfirmuar për Gazetën Sinjali edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar dje pasdite një punonjës të Policisë së Kosovës (staf civil)  me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë””, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit në fjalë me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, stafi civil është suspenduar.

Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast” përfundon përgjigja e tyre.

/Gazeta Sinjali/