image Intervistë | Zëdhënësja e EULEX-it: Vakumi i sigurisë në veri nuk mund të shfrytëzohet nga grupet kriminale – agjencitë e zbatimit të ligjit ta parandalojnë këtë

Politikë

Intervistë | Zëdhënësja e EULEX-it: Vakumi i sigurisë në veri nuk mund të shfrytëzohet nga grupet kriminale – agjencitë e zbatimit të ligjit ta parandalojnë këtë

news image

Situata e sigurisë në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Pas dorëheqjes së serbëve të veriut nga institucionet e Kosovës, “rezistenca” të ngritura për të kundërshtuar vendimin për targat ilegale të lëshuara nga Serbia dhe mosformimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, po vazhdojnë në forma të ndryshme.

Në një intervistë për Gazetën Sinjali, zëdhënësja e EULEX-it, Ioanna Lachana, e ka cilësuar shqetësuese dhe të tensionuar situatën në veri të Kosovës.

Lachana ka shprehur shqetësimin e madh lidhur me vakumin e sigurisë i cili u krijua pas dorëheqjeve të policëve serbë të Kosovës.

Ndër të tjera ajo tha se “EULEX-i është përkrahës i këtyre masave parandaluese, por ne nuk mund ta zëvendësojmë Policinë e Kosovës, e cila është reaguesi i parë i sigurisë”. 

Tutje, zëdhënësja e EULEX-it, ju bën thirrje të dyja palëve që të fokusohen në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

eulex

Intervista e plotë:

A ishte i drejtë vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve në veri?

Ne e përsërisim deklaratën e Ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Zyrës së BE-së/PSBE, të cilët e përshëndetën vendimin e Qeverisë së Kosovës dhe liderëve të partive politike më 10 dhjetor për shtyrjen e zgjedhjeve komunale dhe për kryetarë të komunave në katër komunat veriore. 

Çfarë mendoni për dorëheqjet e zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës?

Siç e ka thënë Përfaqësuesi i Lartë Borrell më 5 nëntor, zhvillimet e fundit në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë vënë në rrezik vite të punës së madhe dhe arritjeve të bëra në dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe e vështirësojnë gjendjen e sigurisë në rajon dhe më tej. Ai gjithashtu ka thënë se tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe ka potencialin për eskalimin e mëtejmë të tensioneve në teren. 

Është e vërtetë se vakumi ekzistues në pjesën veriore të Kosovës i shkaktuar nga dorëheqjet e zyrtarëve policorë, prokurorëve, gjyqtarëve dhe stafit mbështetës serb të Kosovës, si dhe tensionet e vazhdueshme kanë sjellë deri te një situatë ku njerëzit nga të gjitha komunitetet nuk mund t’i gëzojnë disa prej të drejtave të tyre më themelore të njeriut. 

viber image 2022 11 05 13 18 21 296 720x405 1

Si do t’i vlerësonit rrethanat aktuale në veri të Kosovës?

Situata e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës është shqetësuese dhe e tensionuar. Gjatë patrullimeve tona vëzhguese, ne jemi duke qenë dëshmitarë të një pranie shqetësuese të armatosur, shpesh herë nga individë dhe grupe të maskuara në pjesën veriore të Kosovës. Kjo është e papranueshme. Gjithashtu, ne jemi dëshmitarë të ngritjes së barrikadave shtesë, të cilat duhet të largohen menjëherë. Ato janë të kundërligjshme dhe e pengojnë lirinë e lëvizjes. 

Krahas këtyre shqetësimeve, edhe kriminaliteti në pjesën veriore të Kosovës është shqetësues. Vakumi i sigurisë i krijuar pas dorëheqjeve të policëve serbë të Kosovës mund të shfrytëzohet nga grupet kriminale. I takon agjencive të zbatimit të ligjit që ta parandalojnë këtë. Në kuadër të mandatit dhe kapaciteteve të tij, EULEX-i është përkrahës i këtyre masave parandaluese, por ne nuk mund ta zëvendësojmë Policinë e Kosovës, e cila është reaguesi i parë i sigurisë. 

Sulmet me shok-bomba, që synojnë edhe një nga njësitë tuaja, kanë qenë mjaft të zakonshme muajt e fundit. A janë shtuar masat e sigurisë?

EULEX-i gjithmonë zbaton masa të fuqishme sigurie, pëfshirë edhe tani kur situata e sigurisë është e tensionuar. 

A besoni se pas barrikadave dhe protestave si ajo pranë Janrinjës, ka struktura paralele të drejtuara nga Beogradi, siç pretendojnë institucionet e Kosovës?

Siç e thamë tashmë, ne jemi duke qenë dëshmitarë të një pranie shqetësuese të armatosur, shpesh herë nga individë dhe grupe të maskuara në pjesën veriore të Kosovës. Krahas kësaj, edhe kriminaliteti në pjesën veriore të Kosovës është shqetësues. Vakumi i sigurisë i krijuar pas dorëheqjeve të policëve serbë të Kosovës mund të shfrytëzohet nga grupet kriminale. I takon agjencive të zbatimit të ligjit që ta parandalojnë këtë. Në kuadër të mandatit dhe kapaciteteve të tij, EULEX-i është përkrahës i këtyre masave parandaluese, por ne nuk mund ta zëvendësojmë Policinë e Kosovës, e cila është reaguesi i parë i sigurisë. 

Cili është apeli i EULEX-it për Serbinë dhe Kosovën për tensionet e fundit?

Apeli ynë është që situata të ç’tensionohet  menjëherë, të rivendoset qetësia dhe të ketë përmbajtje nga veprimet tjera provokuese. Kjo është para së gjithash në të mirën e popullatës lokale, qetësia dhe siguria e së cilës janë në rrezik për shkak të situatës aktuale. Gjithashtu, ne i bëjmë thirrje të dyja palëve që të fokusohen në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënieve. 

/GazetaSinjali/