image Interesim i ulët i nxënësve dhe mësimdhënësve për mësim të shtunave, nga DKA-të flasin për Sinjalin

Arsim

Interesim i ulët i nxënësve dhe mësimdhënësve për mësim të shtunave, nga DKA-të flasin për Sinjalin

news image

Vendimin e Qeverisë për kompensimin e orëve të humbura mësimore gjatë muajit shtator si shkak i grevës së mësimdhënësve në ditët e fundjavës, nuk po e respektojnë shumë nga mësimdhënësit dhe prindërit e nxënësve. Vetëm një numër i vogël i tyre patën vullnet që të vijojnë mësimin të shtunën e kaluar, ashtu siç ka kërkuar Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, raporton Gazeta Sinjali

Lidhur me këtë çështje Gazeta Sinjali ka provuar që të marr prononcime nga drejtorët e arsimit në 7 komunat më të mëdha në vend. Por vetëm tre nga ta ishin të qasshëm për të dhënë informacione lidhur me vijueshmërinë e nxënësve dhe mësimdhënësve për të shtunën e kaluar.

Naser Gega Drejtor i DKA-së në Komunën e Pejës tregon për Sinjalin se vetëm 13 % e nxënësve i janë përgjigjur thirrjes për zëvendësimin e orëve të humbura.

“Të shtunën e kaluar, 13 % e nxënësve ju kanë përgjigjë thirrjes, është shumë shqetësuese jo pak po shumë shqetësuese prej klasës 1 deri 8,  të shtunën e kaluar bashkë me inspektora kemi qenë në terren jem taku me inspektora në terren, jam shku bashkë me njërin prej tyre, në disa shkolla dhe kemi pa gjendjen reale e cila është, nuk jemi të kënaqur me vijueshmërinë, të shohim nesër si do i përgjigjen thirrjes” tha Gega për Sinjalin.

Sa i përket pjesëmarrjes së mësimdhënësve Gega thotë se pjesëmarrja e mësimdhënësve është jo e kënaqshme.

“Kryesisht kanë ardhë edhe pse jo në numër të kënaqshëm, ka pas mungesë shumë të mësimdhënësve” përfundoi Gega.

Avni Fetahu Drejtor i DKA-së në Podujevë tregon statistikat e pjesëmarrjes së nxënësve dhe mësimdhënëseve.

 “Të shtunën e kalume kanë qenë 95% e mësimdhënëseve  prezentë ndërsa pjesëmarrja e nxënësve 80 % tash prap jem në  procedurë për ditën e shtune, urojmë qe pjesëmarrja e nxënësve të jetë  edhe ma e madhe edhe na shkon procesi mbarë e mirë”.

Kurse sa i përket raportit që inspektorat kanë për pjesëmarrjen në mësim të nxënësve dhe mësimdhënëseve, thuhet se 90% është pjesëmarrja e mësimdhënëseve.

“Në bazë të raportit që kanë sjellë inspektorat na kanë dalë me një shifër prej 90 % pra na i kemi pasë të dhënat 95 % të pjesëmarrjes së mësimdhënësve në proces arsimor, jemi kanë komunë që goxha mirë e kemi respektu vendimin e Ministrisë së Arsimit”.

Luljeta Veselaj Gutaj Drejtoresh e DKA-së në Prizren në lidhje me zëvendësimin e orëve tha se janë nxënësit ata që përcaktojnë a me mbajt mësim a jo.

“Shkollat kanë qenë të hapura.  Mësimdhënësit kanë dalë drejtorët kanë dale stafi , shumica e shkollave nuk kanë mbajt ata që përcaktojnë janë nxënësit a me mbajt mësim a jo, shumë pak shumë e ulët ka qenë pjesëmarrja e nxënësve” tha ajo shkurt për Sinjalin.

Kujtojmë se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se me vendimin e MASHT-it, do të ndryshohet kalendari i vitit shkollor 2022-2023, për shkak të 22 ditëve të pambajtura të mësimit gjatë muajit shtator 2022 si pasojë e grevës së mësimdhënësve.

Teksa ka bërë të ditur edhe datat kur pritet të bëhet zëvendësimi i orëve të humbura.

“Tetë ( 8 ) ditë të mësimit të pambajtura për parafillore dhe klasat (1-8) sipas UA-05/2022 për Kalendarin e vitit shkollor 2022-2023 do të mbahen ditëve të shtune.

Por me këtë vendim të Ministrisë së Arsimit, nuk po pajtohet SBASHK-u, sipas tyre MASHT-i ka ndryshuar vitin kalendarik pa u konsultuar me ta.

Një gjendje e njëjtë pritet të vazhdojë edhe nesër sa i përket numrit të ulët të pjesëmarrjes së nxënësve në mësim sepse sot gjatë ditës edhe Këshilli i Prindërve përmes një njoftimi në Facebook ka reaguar kundër mbajtjes së mësimit të shtunave duke thënë “Jo mësimit të shtunave, jo mësimit me zor”.

/GazetaSinjali/