image Inteligjenca amerikane: Hakerët kinezë vodhën miliona dollarë gjatë pandemisë

Botë

Inteligjenca amerikane: Hakerët kinezë vodhën miliona dollarë gjatë pandemisë

news image

Shërbimi Sekret Federal i SHBA-së ka konfirmuar një zbulim nga rrjeti NBC se hakerat kinezë kanë nxjerrë dhjetëra miliona dollarë që nga viti 2020, të destinuara për mbështetjen financiare të të prekurve nga pandemia Covid-19.

Grupi i hakerëve kinezë është i njohur për agjencitë e sigurisë kibernetike si APT41 ose Winnti, sipas të njëjtit burim.

APT41 besohet të jetë përgjegjës për shumë sulme kibernetike dhe thuhet se ka mbështetjen e qeverisë kineze, raporton NBC, transmeton oranews.

Anëtarët e grupit u akuzuan në vitin 2019 dhe 2020 nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për spiunim të më shumë se 100 kompanive aktive në zhvillimin e softuerit, telekomunikacionit, videolojërave dhe mediave sociale.

Ish-zëvendësprokurori i përgjithshëm i SHBA-së, Jeffrey Rosen, kishte akuzuar Pekinin në atë kohë për nxitje të kriminelëve kibernetikë me kusht që ata të kryenin sulme jashtë territorit kinez, në disa raste duke korrur përfitime për qeverinë kineze.

Ambasada e Kinës në Uashington nuk iu përgjigj kërkesës së Reuters për koment.

/GazetaSinjali/