Inspektorati i Punës ka marrë vendim lidhur me ankesën e Afërdita Grapcit kundër vendimit të bordit të drejtorëve të ndërmarrjes “Ambienti” në Pejë, lidhur me shkarkimin e saj nga pozita e zyrtares kryesore të Financave dhe Thesarit në këtë ndërmarrje. Inspektorati i Punës ka konstatuar se ankesa e Grapcit është e bazuar dhe i ka shqiptuar gjobë Arton Muhaxherit, kryesues i bordit të drejtorëve, si përgjegjës për disa shkelje.
Gazeta Sinjali ka siguruar vendimin e Inspektoratit të Punës dhe ju sjellë më poshtë detaje.
Në vendimin e marrë nga Inspektorati thuhet se Arton Muhaxheri është përgjegjës për shkeljen e nenit 72, pasi me vendimin për shkarkimin e Grapcit nuk i ka respektuar procedurat para ndërprerjes së kontratës, si dhe për nenin 78, për shkak se nuk ka vendosur lidhur me ankesën e Grapcit brenda afatit që parashihet.
Si rrjedhojë, Inspektorati ka marr vendim që Muhaxherit t’i shqiptojë gjobën prej 2 mijë e 300 eurove, të cilën duhet ta paguajë në afat prej 15 ditësh.
Arsyetimi i Inspektoratit të Punës
Sipas Inspektoratit, Afërdita Grapci është shkarkuar nga puna me arsyetimin se “ka dështuar në ushtrimin e funksionit dhe detyrave të cilat i janë ngarkuar, ka humbur besueshmëria e Bordit të Drejtorëve, nuk ka reflektuar ndaj rekomandimeve të Bordit, prezantimi jo i drejtë dhe jo i saktë i raporteve financiare mujore.” Për këtë vendim, ajo ka parashtruar ankesë, ku e ka kontestuar këtë vendim. Lidhur me këtë ankesë, e njëjta s’ka marrë përgjigje me shkrim.
Prandaj, ajo ka kërkuar mbrojtje ligjore nga Inspektorati i Punës, kërkesë kjo që është vlerësuar si e bazuar.
Me vendimin mbi shkarkimin nga pozita, Grapcit nuk i është ndërprerë marrëdhënia e punës pranë ndërmarrjes “Ambienti”, siç parashihet me Ligjin për Ndërmarrjet publike.
Sipas Inspektoratit, arsyetimi i ndërmarrjes për shkarkimin e Grapcit “nuk tregon asgjë sepse nuk ka asgjë të konkretizuar dhe të bazuar në prova.”
Përveç kësaj Afërdita Grapcit i është mohuar e drejta për t’u ankuar, siç parashihet me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Pas këtyre konstatimeve, Inspektorati i Punës ka përpiluar raport zyrtar, me ç’rast ankuesja dhe ndërmarrja “Ambienti” kanë parashtruar vërejtje.
Por sipas Inspektoratit vërejtjet nuk kanë bazë ligjore, prandaj, vendimi për shqiptimin e gjobës ndaj Arton Muhaxherit, si kryetar i Bordit të drejtorëve është adekuat.