Sindikata e Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë të Kosovës, ka reaguar lidhur me rastin e infermierës Hamide Ademi nga Fushë Kosovë e cila është 63-vjeçare dhe me sëmundje kardiovaskulare e cila po punon 12 orë në ditë, shkruan Gazeta Sinjali.
Nga kjo sindikatë kanë shprehur keqardhje edhe për vështirësitë e infermierës për transport, meqenëse ajo punon në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komoran.
“Sindikata e Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë të Kosovës shpreh keqardhje për rastin e infermieres Hamide Ademi nga Komuna e Fushë Kosovës, e sistemuar në QKMF Komoran, e cila ka dhe një vit e gjysmë deri në pensionim ndërsa vuan edhe nga sëmundje kardiovaskulare si dhe me vështirësi transporti, ndërsa është ngarkuar me punë në shërbimin emergjent me orar 12 orësh”, thuhet në reagimin e Sinidikatës.
Me këtë rast, Sindikata e Infermierëve ka apeluar te menaxhmeti i QKMF në Drenas, Drejtori i Departmentin për Shëndetësi në Komunën e Drenasit, Arsim Haxhiu, që të ketë në konsideratë moshën e infermieres dhe gjendjen e saj shëndetësore si dhe të mirëkuptojë ankesat e saj drejtuar tyre pasi që, siç thuhet në reagimin e sindikatës, “kontributi dhe përvoja e saj 44 vjeçare në shëbim të qytetarëve meriton respekt të veçantë”./Gazeta Sinjali/