image Infermierit të QKUK "i shpërblehet" greva, amendamentohet kërkesa për dyfishimin e pagesës për ndërrimin e natës

Shëndetësi

Infermierit të QKUK “i shpërblehet” greva, amendamentohet kërkesa për dyfishimin e pagesës për ndërrimin e natës

news image

Infermieri Enlirat Duraku, i cili qëndroi në grevë urie për 20 ditë, ka njoftuar se deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka paraqitur në Ministrinë e Shëndetësisë një amendament, i cili parasheh shtimin e buxhetit për pagesat e ndërrimit të natës për stafin mjekësor, shkruan Gazeta Sinjali.

Haxhiu ka kërkuar që të shtohen edhe 2 milionë e 700 mijë euro te programi pagat dhe shtesat, në mënyrë që pagesa për ndërrimin e natës nga 18 euro të dyfishohet në 36 euro.

Në arsyetimin e këtij amendamenti, deputeti i PDK-së ka përmendur grevën 20 ditëshe dhe gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet infermieri Duraku, si dhe pamjaftueshmërinë e pagesës aktuale për këtë ndërrim.

Po ashtu, Duraku ka njoftuar se Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka paraqitur një amendament tjetër, përmes të cilit kërkon që 520 specializantë të punësuar të shtohen në listën e pagave, si dhe në programin për paga dhe shtesa të shtohen edhe 4 milionë euro për pagat e tyre.

“Pagesa e ndërrimeve të natës nga 18€ në 36€. Falemnderit të gjithëve që u angazhuan që kjo të realizohet. Në veçanti Bekim Haxhiu, Fitim Uka, Arben Vitia, Teuta Haxhiu”, ka shkruar në Facebook Duraku, i cili qëndroi i vetëm në grevë urie për 20 ditë për realizimin e kërkesave të 2 mijë e 195 kolegët e tij infermierë në QKUK, të cilët nuk iu bashkuan në grevë./Gazeta Sinjali/