image Infermieri grevist i QKUK-së ende në gjendje të rëndë, thotë se nuk e ka kontaktuar as Hoti, e as Zemaj

Shëndetësi

Infermieri grevist i QKUK-së ende në gjendje të rëndë, thotë se nuk e ka kontaktuar as Hoti, e as Zemaj

news image

Enlirat Duraku, kryeinfermieri i njësisë COVID në Klinikën e Reumatologjisë në QKUK, ka më shumë se dy javë që ka hyrë në grevë urie, me kërkesën që pagesa për ndërrimin e natës për infermierë të rritet nga 18 euro në 36 euro, pagesën e orëve shtesë dhe vikendeve si dhe pagesën për rrezikshmëri, shkruan Gazeta Sinjali.

Për shkak të mosushqyrjes, tri ditë më parë Durakut i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, për çka edhe u hospitalizua në Klinikën Emergjente.

Por, gjendja e tij po vazhdon të jetë e rëndë.

Duraku për Gazetën Sinjali tha se edhe pas përkeqësimit të gjendjes ai nuk është kontaktuar as nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, e as nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Madje, Duraku tha se në grevë nuk i është bashkuar asnjë nga 2 mijë e 195 kolegët e tij infermierë në QKUK.

“Jo, jam vetëm dhe gjendjen e kam të rëndë. S’më ka kontaktuar asnjëri. Kam mbajtë shpresa te Kurti, po edhe ai njëjtë si Ramushi. Deri të plotësohen (kërkesat), nuk ushqehem dhe nuk pi. Kjo është padyshim e vendosur”, tha Duraku për Gazetën Sinjali.

Madje, sot gjatë ditës, Duraku pyeti nëse ka kolegë trima që i bashkëngjiten për t’i realizuar kërkesat dhe nevojat e të gjithë infermierëve.

Ai u tha kolegëve që batanijet për grevë urie para Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës i siguron ai.

“2 mijë e 195 infermierë në QKUK. Herën e parë mbeta vetëm. Kush më bashkëngjitet në grevë urie dhe etje? A ka aso trima, guxim dhe të vendosur që me i realizu kërkesat: 1. Rritja e pagesës së natës 2. Pagesa e orëve shtesë dhe vikendeve 3. Pagesa e rrezikshmërisë në punë. Kësaj here para SHSKUK-së, batanijet i organizoj unë. Jo like postimit, por PO ose JO”, shkroi Duraku në profilin e tij në Facebook.

Kujtojmë që Duraku ishte infektuar me koronavirus gjatë punës së tij si infermier në QKUK./Gazeta Sinjali/