Infektologu dhe njëherit deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, gjatë seancës së sotme ka kërkuar nga Qeveria që vaksinimi antiCOVID të bëhet obligativ.
“Vaksinimi masiv është dalja nga situata. Numri aktual i të vaksinuarve brenda 24 orëve vetëm prej disa mijëra dozave është vërtetë brengosëse kur e dimë që kapacitetet i kemi mbi 20 mijë doza vaksinë për 24 orë. Ju rekomandojë që vaksinimin ta bëni obligativ, në veçanti për institucionet publike, gjë që e kanë bërë shumë vende të Bashkësisë Evropiane dhe shumë vende të rajonit tonë, nga sot edhe Shqipëria”, ka deklaruar ai.
Dreshaj ka thënë se ditëve të fundit një numër i madh i punëtorëve shëndetësorë në Klinikën Infektive janë infektuar me virus.
Tutje, Dreshaj ka paralajmëruar edhe rritje të numrit të pacientëve të hospitalizuar në ditët e ardhshme.
“Dihet sëmundja ndërlikohet rrallë para ditës së pestë, zakonisht nga dita e shtatë deri ditën e dhjetë, prandaj numri i rasteve të hospitalizuara pritet të rritet në katër pesë ditët e ardhshme e me to fatkeqësishtë edhe rastet që do të kenë ecuri të pafavorshme. Po thuhet që shumica e rasteve janë nën moshën 19-vjeçare, është e pritshme. Kjo grupmoshë është grupmosha më aktive që ka vendi dhe njëkohësisht nuk ka një shkallë të lartë të vaksinimit. E njëjta vlenë edhe për grupmoshën deri në 12-vjeç, këta as që i kemi pasur në program për t’i vaksinuar”, ka deklaruar ai.
Kujtojmë që dje është shënuar rekord i rasteve të reja me COVID-19 për dy muajt e fundit.