Dhjetëra foshnje janë prekur me koronavirus vetëm në Teksas të Amerikës.
Zyrtarët shëndetësorë e dhanë këtë lajm gjersa ky shtet të shtunën raportoi numër rekord të vdekjeve për 24 orë nga koronavirusi – 174.
“Në këtë moment kemi 85 foshnje nën një vjeç që kanë rezultuar pozitive në testin për COVID-19”, tha Annette Rodriguez, drejtoresha e Departamentit të Shëndetësisë Publike në rajonin Nueces të Teksasit.
Që nga fillimi i pandemisë në Teksas kanë vdekur më shumë se 3 mijë e 700 persona.
Teksasi ishte njëri nga shtetet e para që u rihap pas mbylljes gjithëkombëtare në SHBA. Guvernatori Gregg Abbott lejoi hapjen e bizneseve, përfshirë kafenetë dhe restorantet në muajin maj.
Pasi që fillimisht refuzoi ligjet për mbajtjen e detyrueshme të maskave, Abbott lëshoi një urdhër në fillim të korrikut që kërkon nga të gjithë banorët e Teksasit të mbajnë maska kur gjenden në lokale dhe hapësira publike./Gazeta Sinjali/