Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u ka bërë thirrje gjithë qytetarët të dalin për të votuar në zgjedhjet e sotme.
Pasi shfrytëzoi të drejtën kushtetuese, i pari i shtetit në Shqipëri, tha se ky është akti më patriotik që mund të bëjnë qytetarët.
“Punën më të rëndësishme sapo e realizova, i ftoj të gjithë të votojnë. Votimi nuk është vetëm një detyrim qytetar, nuk është vetëm një e drejtë kushtetuese demokratike. Sot është një akt patriotik, mbrojta e atdheut. Sot atdheu mbrohet me votë dhe sjellje të qytetëruar evropiane”, tha ai.
Krahas kësaj, presidenti Meta u bëri thirrje qytetarëve të zgjedhin alternativën më të mirë dhe kandidatët më të denjë.
“Barazinë para ligjit na garanton vetëm barazia e votës. Prandaj çdo qytetari të Shqipërisë, pavarësisht çka ka bërë deri dje, sot të votojë i lirë dhe dinjitet për alternativën që beson dhe jo vetëm kaq, por edhe për kandidatin më të mirë në listën e alternativës që do të zgjedh”, tha ai.
Bashkë me Metën ka votuar edhe kryetarja e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi./Gazeta Sinjali/