image Il Giornale: Tirana iu vë stërkëmbësin kompanive italiane

Rajon

Il Giornale: Tirana iu vë stërkëmbësin kompanive italiane

news image

Ishte 19 shtatori i vitit të kaluar kur kryeministri shqiptar Edi Rama nga Fiera del Levante në Bari, foli në mënyrë të drejtpërdrejtë për të tërhequr investitorët italianë në tokën e Shqiponjave.

Më pas mbërriti COVID dhe qeveria e Tiranës në shenjë miqësie dërgoi mjekë shqiptarë për të na ndihmuar të përballonim sëmundjen infektuese. Por, pas pandemisë, kompanitë italiane të sektorit të energjisë, që në vitet e fundit  kanë vendosur të punojnë në anën tjetër të Adriatikut, befasisht u përballën me një surprizë të keqe, shkruan Il Giornale.

Janë shumë, kryesisht NVM-ve, që i shesin energjinë qeverisë. Llogaritja e çmimit të shitjes të energjisë së prodhuar nga privatët (16% e kërkesës kombëtare, në vitin 2019) është fiksuar në fillim të vitit me një llogaritje të lidhur me indeksin e bursës hungareze dhe kursin e këmbimit euro / lek. Ndërsa në maj, Rama ndryshoi koeficientin, duke e ulur çmimin me rreth 8%.

Një goditje e ulët, por jo e vetmja, pasi, siç thekson zyra e ICE-s në Tiranë, ky është “ndryshimi i tretë i njëanshëm i imponuar nga qeveria shqiptare ndaj investitorëve në sektorin e hidrocentraleve”. Sipas thashethemeve të pareshtura, qeveria shqiptare mund të rrisë edhe tatimin mbi fitimin nga 15% që është sot, në 17-20% , duke e bërë të kotë regjimin e lehtësirave fiskale që u interesojnë veçanërisht kompanive të energjisë. Ekziston frika se qeveria do monopolin shtetëror të energjisë.

“Ne jemi të disponueshëm për t’u ulur në një tryezë diskutimi me kryeministrin Rama duke respektuar të drejtat e të gjithëve”, komenton presidenti i Confindustria Albania, Sergio Fontana, i cili paralajmëron: “Shqipëria duhet të bëjë gjithçka për të tërhequr investimet e huaja, duke rregulluar çmimin e energjisë me të gjithë stakeholder-at e sektorit, që do t’u mundësojë këtyre investimeve të mëdha, të jenë gjithashtu edhe të besueshme».

“Shqipëria ka një ar të kaltër që meriton të shfrytëzohet si energji e gjelbër, – vazhdon Fontana, – por që e gjithë kjo të jetë e mundur, Shqipëria duhet të vendosë rregulla të standardit evropian”. /Gazeta Sinjali