image IKSHPK-ja refuzoi testimin e vajzës nga Vushtrria edhe pse i kishte të gjitha simptomat për koronavirus

Shëndetësi

IKSHPK-ja refuzoi testimin e vajzës nga Vushtrria edhe pse i kishte të gjitha simptomat për koronavirus

news image

Një qytetares nga Vushtrria (emër i njohur për redaksinë) tash e dy javë i janë paraqitur simptomat e koronavirusit, por ajo nuk i është nënshtruar testit, pasi që nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës i kanë thënë se nuk kanë kapacitete për testimin e personave të cilët mund ta mposhtin koronavirusin në shtëpi, raporton Gazeta Sinjali.

Simptomat e para të koronavirusit asaj i ishin shfaqur dy javë më parë. Fillimisht, ajo thotë se ka pasur kokëdhembje, plogështi, dhembje dhe djegie në sy. Pas katër ditëve asaj i kishte humbur shija, ndërkaq, një javë pas shfaqjes së simptomave të para ajo e kishte humbur edhe aftësinë e nuhatjes.

E reja kishte shkuar për vizitë te mjeku në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Vushtrri një ditë pas shfaqjes së simptomave, por mjeku kujdestar dhe një psikolog i kishin thënë se këto simptoma i janë shfaqur si pasojë e pagjumësisë dhe stresit.

Ajo ishte kthyer sërish në këtë qendër dy ditë më vonë. Atë ditë asaj i është rekomanduar të futet në vetizolim për 14 ditë.

“Fillimisht kam ndi shumë lodhje, kam pas dhimbje dhe djegie në sy. Kam shku për vizitë te mjeku në QKMF, këtu në Vushtrri, mjeku dhe një psikolog që kanë qenë aty më kanë thënë se e kam prej pagjumësisë dhe stresit. Mandej e kom thirrë dy herë IKSHPK-në, por më thanë se nuk kanë kapacitete me i testu personat që munden me e kalu virusin në shtëpi. Ata më kanë rekomandu me qëndru në shtëpi për më shumë se 10 ditë”, u shprehu ajo.

Vushtrriasja thotë se të nesërmen kanë filluar t’i shfaqen simptomat edhe nënës së saj.

Andaj, ajo thotë se ka kontaktuar me qendrën e IKSHPK-së në Mitrovicë, të cilët e kanë udhëzuar që ta dërgojë nënën tek infektologët, nëse i përkeqësohet gjendja.

“Kam bisedu edhe me degën e IKSHPK-së në Mitrovicë, ata më thanë që në rast se mami bëhet keq, duhet të kontrollohet tek infektologu dhe ai e vlerëson nëse duhet me u testu ose jo”, tha ajo.

Disa ditë më vonë nënës së saj i janë theksuar simptomat e tjera të koronavirusit, të cilat i ishin shoqëruar edhe me therje në gjoks. Mjekët e QKMF-së në Vushtrri i kishin thënë se këto simptoma janë të ngjashme me një grip të zakonshëm.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë për të kuptuar se në bazë të cilave kritere janë duke u kryer testimet për COVID-19 aktualisht dhe pse nuk është testuar për koronavirus dikush që i ka pasur të gjitha simptomat.

Në mesin e personave që po testohen për koronavirus, nga kjo ministri i kanë thënë Gazetën Sinjali, se aktualisht po testohen të gjitha rastet e dyshuara që kanë shenja klinike në SARI në komunitet apo institucionet e mbyllura (shkolla, spitale, shtëpi të pleqve, burgje).

Sidoqoftë, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se mjekët familjarë në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare duhet të diagnostikojnë koronavirusin pa testim.

“Nëse dikush ka simptome të COVID-19, mjekët familjarë duhet të diagnostikojnë COVID-19 pa testim (kjo quhet diagnozë klinike e mundshme apo e dyshimtë) dhe t’i thonë atij individi që të vetizolohet për 14 ditë në të njëjtën mënyrë siç do të ishte izoluar po të kishte dalë pozitiv pas testimit laboratorik”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Këto diagnoza, rekomandohet të jepen nga të gjithë mjekët familjarë në Kosovë, në bazë të Udhëzuesit dhe Procedurave Standarde të Operimit (PSO).

Rastet e diagnostikuara pa testim, Ministria e Shëndetësisë njofton se duhet të raportohen si raste të supozuara pozitive.

“Të gjitha këto raste me diagnozë klinike COVID-19 duhet të raportohen pa test laboratorik në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, sipas Udhëzuesit dhe Procedurave Standarde të Operimit (PSO)”, thuhet në përgjigjen e MSH-së. /Gazeta Sinjali/