image IKSHPK i kthen përgjigje Kuvendit, nuk rekomandohet mosmbajtja e seancës për rrëzimin e qeverisë

Kosovë

Koronavirusi/ IKSHPK i kthen përgjigje Kuvendit, nuk rekomandohet mosmbajtja e seancës për rrëzimin e qeverisë

news image

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës i ka kthyer përgjigje kryeparlamentares Vjosa Osmani, e cila kishte kërkuar rekomandim në lidhje me mbajtjen apo jo të seancës për rrëzimin e qeverisë për, siç është thënë “sigurinë e shëndetit të deputetëve”.

Përgjigja që IKSHPK e ka dërguar tashmë në Kuvendin e Kosovës nuk e ndalon mbajtjen e seancës, raporton Gazeta Sinjali.

Në përgjigjen e IKSHPK nuk jepet ndonjë përgjigjet konkrete, mirëpo është treguar gatishmëria për të asistuar nëse vendoset që kjo seancë të mbahet. Mirëpo, aty theksohet se ky Institut nuk interferon në përmbushjen e detyrave kushtetuese të institucioneve.

“IKSHPK nuk interferon në përmbushjen e detyrave kushtetuese të institucioneve shtetërore. IKSHPK është i gatshëm që me ekipin e tij gjatë tërë kohës në cilindo rast të ofrojë mbështetjen me ekipet profesionale për kujdesin maksimal në aplikim të kushteve të kërkuara të domosdoshme sipas protokollit dhe udhëzimeve”, thuhet në raport.

Një nga elementet që është theksuar në këtë letër, është se nëse mbahet seanca deputetët duhet të mbajnë distancën prej 2 metrash, sic edhe thuhet në vendimin e Qeverisë dhe rekomandimet e Institutit.

Ndërkohë, nga Lëvizja Vetëvendosje po insistojnë se kjo seancë shkelë udhëzimet e Qeverisë për masa parandaluese. Deputetja Fatmire Mullhaxha-Kollcaku, ka thënë para disa ditësh se Covid 19 i përcakton rregullat.

“A mos po mendoni se imuniteti politik i deputetit, nënkupton edhe imunitet karshi sëmundjeve??? NUK KA KUSHTE PËR MBAJTJE TË SEANCËS e aq më pak për debat parlamentar! COVID-19 sot i përcakton rregullat e veprimit, mos harroni!”, ka thënë ajo.

Në LDK, ndërkaq, po vazhdojnë të mbesin prapa mocionit të mosbesimit. Dje kryetari Isa Mustafa e sot ministri i LDK-së, Besian Mustafa, kanë konfirmuar se janë prapa mocionit i cili tani është në procedurë në Kuvend.

Ndryshe, sipas nenit 100 të Kushtetutës, Kuvendi është përgjegjës të thërras seancën e jashtëzakonshme jo më larg se 5 ditë nga dita e deponimit të kërkesës për seancë të jashtëzakonshme për mocion mosbesimi. Kërkesa për thirrje të seancës nga LDK është dorëzuar të shtunën. /Gazeta Sinjali/