Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se deri tani 5 mijë e 448 persona kanë pasur kontakte me rastet e konfirmuara pozitive me koronavirus në Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas këtij instituti, të gjithë personat me simptoma dhe të dyshuar për koronavirus janë testuar, derisa në karantinë po qëndrojnë 500 persona.
“Deri sot janë gjurmuar dhe identifikuar 449 raste pozitive, 3915 raste të dyshimta, 5.448 kontakte, mbi 500 persona në karantinë dhe hyrjet në pikat kufitare, duke mos ngecur asnjë proces pune me kaq profesionistë sa kemi, falë gatishmërisë së tyre për të punuar pa ndalur, duke mbuluar gjithë territorin e vendit. Të gjithë personat me indikacione epidemiologjike dhe ata të dyshimtë në COVID-19 janë testuar dhe asnjë nuk ka mbetur pa u testuar, përkundër vështirësive të ndryshme jo vetëm për vendin tonë, por që janë të njëjta edhe me vendet e rajonit dhe të Evropës”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Kjo sipas Institutit për Shëndetin Publik, po bëhet në bazë të protokolleve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Në bazë të protokolleve të OBSH secili person i cili konsiderohet i dyshimtë në COVID-19, me shenja dhe simptoma të sëmundjes si dhe në bazë të vlerësimit të riskut ka qenë në kontakt të afërt me personin me COVID-19 pozitiv vazhdon të testohet në Klinikën Infektive, në QKMF në Prishtinë, në Institutet Rajonale sipas nevojave të terrenit edhe me ekipet mobile të Departamentit të Mikrobiologjisë”, thuhet në njoftimin e tyre.