Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se pas analizave të dy personave që dyshohej se kishin koronavirus, rezultatet dolën negative.
Përmes një njoftimi thuhet se testi ka përfunduar pas mesnate , rreth orës 00:30 dhe ka rezultuar negativ për të tri analizat.
“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike më 22 shkurt 2020, në ora 20:10 ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për dy pacientë të dyshimtë në Koronavirus COCID-19. Pacientet kanë pasur ethe, kollë të thatë të rrallë, lodhje dhe molisje dhe pengesa në frymëmarrje. Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në koronavirus COVID-19 dhe në influencë A dhe B me metodën rRT-PCR te dy pacientët. Testi ka përfunduar në ora 00.30 pas mesnate dhe ka rezultuar negativ për të tri analizat, domethënë të dy pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2 dhe as me influenza A dhe B.”, njoftoi Instituti.
Siç njoftohet, ekipet e Institutit Kombëtar po përcjellin me vëmendje situatën epidemiologjike me Koronavirus në botë./Gazeta Sinjali/