Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik nëpërmjet një komunikate, ka njoftuar se është duke monitoruar nga afër epideminë e sëmundjes respiratore të shkaktuar nga një koronavirus i ri i identifikuar për herë të parë në Wuhan, Provinca Hubei, Kinë.
IKShPK, departamenti i Epidemiologjisë bënë mbikëqyrjen e rasteve gjatë tërë vitit, dhe përcjell situatën epidemiologjike.
Instituti Kombëtar ka rekomanduar te të gjithë drejtoritë rajonale të Shëndetësisë Publike dhe punëtorët shëndetësorë që të ngrisin nivelin e vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.
Për këtë virus IKSHP është njoftuar më 31 dhjetor 2019 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Sipas IKSHP-së virusi nuk përputhej me ndonjë virus tjetër të njohur. “Kjo ngriti shqetësimin sepse kur një virus është i ri, ne nuk e dimë se si përhapet tek njerëzit”.
“Çdo rast i dyshimtë i sëmundjes duhet të raportohet nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe institucionet tjera shëndetësore publike dhe private, brenda 24 orëve (e dëshirueshme sa më parë që është e mundshme me mjetin e komunikimit më të shpejtë) në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike dhe IKShPK”, apelon IKSHP-ja.
IKSHP kërkon nga të gjitha institucionet shëndetësore që të vazhdojnë të zbatojnë gatishmërinë e tyre për emergjencat shëndetësore, në përputhje me Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit (2005).
Instituti Kombëtar njoftoi se do të informojë rregullisht Institucionet shëndetësore, Ministrinë e Shëndetësisë, Qendrën e Situatave dhe OBSh-në për ecurinë epidemiologjike të Novel Coronavirus (2019-nCoV) në Republikën e Kosovës.
“Në aeroportin ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ është ekipi mjekësor, me të cilët jemi në kontakt të vazhdueshëm për mbikëqyrjen e situatës në rast të shfaqjes së personave të dyshimtë me sëmundje ngjitëse. Ekuipazhi i aeroplanit duhet të ndjekë procedurat operacionale të rekomanduara nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) në lidhje me menaxhimin e personave të dyshimtë në sëmundje ngjitëse në bordin e aeroplanit. Deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i prekur nga ky virus në vendin tonë”, thuhet në komunikatë.
IKSHP këshillon qytetarët që t’i marrin këto masa për parandalimin e këtij virusi:
- Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes.
- Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre.
- Shmangia e prekjes së fytyrës dhe mbulimi i gojës dhe hundës me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes.
- Hedhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave.
- Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit.
- Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes.
- Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz.
- Personat të cilët kanë qenë në provincën Wuhan, Kinë brenda 2 javëve të fundit dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore./Gazeta Sinjali/