image Ikjet e parakohshme në artin shqiptar, nga Trebicka e Lako te Xhevdet Ferri

Art & Dizajn

Vdekjet/ Ikjet e parakohshme në artin shqiptar, nga Trebicka e Lako te Xhevdet Ferri

news image

Vitet e fundit publiku i lidhur me kinemanë, filmin dhe ekranin shqiptar, është tronditur në mënyrë të përsëritur nga disa ikje të parakohshme nga jeta të aktorëve, regjisorëve dhe personazheve të njohur që kanë bërë histori.

Në mars të vitit 2013, ndërroi jetë, i famshmi Roland Trebicka. Ai që pati lënë shpirtin në skenën e Teatrit. Nëse luante Trebicka në një pjesë, teatri mbushej plot. Një rol i papërsëritshem, mbetet Jovan Bregu te “Pallati 176”. Aq mjeshterisht i realizuar sa vazhdon të ndiqet sot e kësaj dite, dhe batutat e tij përdoren edhe në jetën e përditshme. Trebicka ngelet për këtë arsye nga artistët më popullorë, edhe pse u largua nga kjo botë në moshë mjaft të re, 66 vjec, prej një sëmundje të rëndë në mushkëri.

Në fund të vitit 2015, u mor vesh lajmi i ndarjes nga jeta të regjisorit Artan Minarolli. Minarolli bënte pjesë në atë aradhë artistësh që u formua në kohën e diktaturës dhe të realizmit socialist por që ia doli të prodhojë e të ketë sukses në vitet e lirisë. Ai drejtoi për disa kohë edhe Qendren Kombëtare Kinematografike. Minarolli arriti të marrë edhe cmime ndërkombëtare. Minarolli iku mjaft i ri, në kulmin e karrierës kur ende nuk i kishte bërë 60 vjec.

Pothuajse, një vit më pas, në dhjetor të vitit 2016 pushoi zemra e Bujar Lakos, një ikonë e filmit. Edhe për ata që lindën në demokraci, Lako ishte i njohur. Ndërsa për brezat e tjerë, ai ishte një personazh mjaft i dashur që kishte prekur miliona vetë me rolet e tij sidomos dramatike. E kush nuk e ka parasysh Tunxhin, në filmin Udha e Shkronjave, apo Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur. Lako nuk i mbushi dot të 70-tat.

I beftë ishte lajmi në mesin e gushtit të vitit të kaluar për vdekjen regjisorit Gjergj Xhuvani në moshën 56 vjecare. Publiku u zu si në befasi, pasi nuk ishte bërë e njohur që ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai spikati me filmat “Parullat”, “I dashur Armik”. U formua si regjisor në fund të viteve 80, ndërsa krijimtarinë e nisi në fillim të viteve 90. Xhuvani konsiderohej një prej producentëve më të mirë në vend. Po ashtu, ai ishte bashkëshort i aktores së njohur, Luiza Xhuvani.

Vetëm dy ditë më pas, në atë mes gushit të 2019, një pikëllim mbërtheu komunitetin e gazetarisë dhe të ekranit, kur u mësua se nuk kishte arritur ti mbijetonte sëmundjes Fatos Baxhaku. Baxhaku një nga gazetarët më të spikatur të shtypit të tranzicionit në këto 3 dekada, ishte pjesë e një miqësie të ngushtë dhe bashkëpunimi me aktorët dhe regjisorët. Atë ditë, qarkulloi shumë një video, ku ai shfaqej në krah të Gjergj Xuvanit në një ambjent festiv teksa këndonte “Formidable”. Baxhaku iku mjaft i ri, në moshën 55 vjecare. Ai thirrej jo rastësisht nga të gjithë gazetarët e rinj, profesor, për shkak se cdo kujt i kishte mësuar dicka, sidomos në lëmin e reportazhit.

Tre ditë më parë, një ikje tjetër shumë e parakohshme, e këtyre përmasave, ishte ajo e Xhevdet Ferrit. Personazhi i mirë i filmave shqiptarë, ishte fiksuar në memorien e publikut me shumë karaktere. Po në vecanti, me Trimin tek “Përrallë nga e kaluara”. Ferri ishte po ashtu aktor i teatrit. Ai ishte i klasit të parë, dhe rolet e rij qenë mjaft të realizuara edhe në vitet e kinemasë së re, pas rënies së sistemit dhe realizmit socialist. Ferri iku mjaft i ri, 59 vjec. Ai ishte pedagog në Universitetin e Arteve dhe po ashtu menaxher në fushën e filmit. Drejtoi gjithashtu Qendren Kombëtare Kinematografike.