Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë dy ditëve të fundit rënduar gjendja e cilësisë së ajrit në vend, sidomos për Grimcat e Pluhurit PM2.5 dhe PM10, në disa stacione matëse të menaxhuara nga ky institut, raporton Gazeta Sinjali.
IHMK bën të ditur se gjendje e rënduar e cilësisë së ajrit për parametrat PM2.5 dhe PM10 është regjistruar veçanërisht në stacionet në Prishtinë (IHMK dhe Rilindja) dhe në stacionin e vendosur në zonën malore në Brezovicë.
“Ndikimi i masave të nxehta të ajrit nga Afrika Veriore ka rënduar cilësinë e ajrit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
AMMK sqaron opinionin e gjerë se kjo situatë ka ardhur si rezultat i kushteve aktuale meteorologjike në të cilat ndodhet vendi ynë.
Sipas të dhënave meteorologjike të IHMK, Kosova aktualisht është nën ndikimin e masave të nxehta të ajrit me origjinë nga Afrika Veriore.
Pluhuri i ardhur nga kjo zonë e Afrikës ku shtrihet edhe shkretëtira e Saharasë, që ka përfshirë edhe Kosovën ka ndikuar në rritjen e vlerave të grimcave të pluhurit.
Bartja e pluhurit dhe grimcave të vogla të rërës nga Sahara, është një fenomen që përfshinë shpesh Evropën dhe që manifestohet kryesisht me praninë e grimcave të pluhurit në ajër./Gazeta Sinjali/