Çdo mbrëmje gjatë Ramazanit, muajit të vetë-kontrollit dhe lutjeve për myslimanët, besimtarët mblidhen në darkë me familjarë dhe miq për të thyer agjërimin me darkën e iftarit.
Gjatë pandemisë COVID-19, disa festuan së bashku në grumbullime përmes rrjeteve sociale. Një organizatë në Los Angeles po përdor iftarin virtual për të krijuar ura bashkëpunimi mes myslimanëve dhe hebrenjve.
Çdo ditë Ramazani, në perëndim të diellit vjen koha e Iftarit, kur besimtarët bëjnë pushim për pak orë nga agjërimi.
Në këtë Ramazan, disa qytetarë në Los Angeles të Californisë, po organizojnë një iftar jo të zakonshëm virtual, thotë një besimtar mysliman.
“Ne e thirrëm ezanin nga tre sinagoga të ndryshme në Los Angeles. E para, mendova se ishte diçka e bukur dhe e fuqishme. Së dyti, shprehte unitetin tonë dhe faktin se të gjithë jemi një komunitet i përbashkët”, tha Adam Fakhri nga organizata “New Ground”, raporton Zëri i Amerikës.
Iftari virtual u mundësua nga organizata NewGround: Partneriteti mysliman-hebre për ndryshim. Në hapje mbajti një fjalim kryetarit i bashkisë së Los Angeles, Eric Garcetti.
Aktiviteti përfshinte vizitë virtuale në kuzhinën e një imami dhe gruas së tij ndërsa ata përgatisnin ushqimet e tyre të preferuara, dhe një vizitë në kuzhinën e një rabineje dhe bashkëshortit të saj gjatë përgatitjes së ushqimeve të tyre të preferuar.
Pjesëmarrësit thonë se Iftari dhe Ramazani nuk lidhen vetëm me ushqimin dhe agjërimin.
“Disa nga mesazhet janë sakrifica, durimi, humanizmi”, tha Fakhri nga Organziata “New Ground”.
Dhe forcimi i lidhjeve me të tjerët, duke përfshirë edhe ata të besimeve tjera, thotë një pjesëmarrës hebre.
“Fillimisht përqendrohemi tek marrëdhëniet mes nesh, duke treguar histori personale që lidhen me identitetin tonë“, tha David Weiner, pjesëmarrës.
Pjesëmarrësit thonë se respekti për një traditë të ndryshme dhe ndarja e momenteve personale ndihmojnë për kapërcimin e hendekut mbi çështjet përçarëse, si problemet mes palestinezëve dhe izraelitëve që shpesh ndajnë hebrenjtë dhe myslimanët.
“Gjithashtu më ka pasuruar fjalorin dhe aftësitë për t’u shprehur kur bëj biseda të vështira”, thotë Weinder.
Ndërveprimet në kremtime të tilla, qofshin virtuale ose fizike, i mësojnë pjesëmarrësit të dëgjojnë të tjerët.
“Mund të biesh dakord ose të mos pajtohesh me të tjerët në shumë raste. Kjo është pjesë e procesit për të kuptuar njëri-tjetrin duke qenë në gjendje ta shohësh problemin me sytë e tjetrit”, tha pjesëmarrësi Adam Fakhri.
Ata thonë se kjo qasje është e dobishme për të gjithë njerëzit, pavarësisht prejardhjes ose përkatësisë fetare. /Gazeta Sinjali/