image I zhdukur që 19 ditë, a po dështon Policia në gjetjen e Bedri Rexhepit

Siguri

I zhdukur që 19 ditë, a po dështon Policia në gjetjen e Bedri Rexhepit

news image

Sot bëhen 19 ditë që kur Bedri Rexhepi është raportuar si i zhdukur nga familjarët e tij dhe deri më tani askush nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen dhe gjendjen shëndetësore të tij, raporton Gazeta Sinjali.

I riu nga Lipjani ishte raportuar si i zhdukur me 8 prill të këtij viti dhe deri më sot, organet e shtetit kanë dështuar në gjetjen e gjurmëve të tij.

Në aksionin për kërkimin e Bedri Rexhepit, përveç policisë, është angazhuar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

Ibrahim Shala, zëdhënës i FSK-së e konfirmoi një gjë të tillë, por nuk tregoi se kur i është bashkuar FSK-ja këtij operacioni.

“E konfirmojmë, njësia e kërkim-shpëtimit e FSK-së është e angazhuar për rast, me kërkesë të policisë”, tha shkurt Shala.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka pranuar të konfirmojë asnjë informacion, për shkak të “ruajtjes së integritetit të procedurës”.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke i zhvilluar hetimet rreth këtij rasti. Andaj, për shkak të ruajtjes së integritetit të kësaj procedure nuk mund të ndajmë me ju informata shtesë”, thuhet në përgjigjen e kësaj prokurorie.

Gazeta Sinjali mëson nga burimet brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë se në momentin e zhdukjes, Bedri Rexhepi, dyshohet se kishte me vete rreth 30 mijë euro para kesh.

Se Bedriu ka pasur para me vete për Sinjalin e ka konfirmuar edhe vëllai i tij Adnani, por ai ka thënë se nuk kanë informacion se sa ishte shuma e tyre.

“Jo valla, nuk kemi marrë asnjë (informacion për vendndodhjen e tij). Nuk e dimë se sa para i ka pas me veti, por para diçka ka pas me veti“, ka thënë ai.

Bedriu kishte në pronësi një biznes “Rent a Car” dhe dyshohet se motivi i rrëmbimit të tij ka të bëjë pikërisht me punën e tij.

Vëllai i tij thotë se nuk kanë pranuar ndonjë telefonatë nga dikush që mund të kërkonte këmbim ose diçka të tillë. Madje, ai thotë se ata si familje nuk dyshojnë në askënd.

“Jo, nuk na ka telefonu askush që me kërku diçka në këmbim. Prokuroria e ka një të dyshuar, po na jo, nuk kemi diçka”, tha ai.

Kujtojmë që i dyshuari kryesor për rrëmbimin e Bedri Rexhepit është Jeton Vlasaliut, i cili u arrestua nga Policia e Kosovës më 14 prill të këtij viti.

Një ditë pas prangosjes, Gjykata Themelore në Prishtinë, me kërkesën e prokurorisë së këtij rajoni, ia ka caktuar Vlasaliut masën e paraburgimit, e cila do t’i llogaritet deri më 13 maj të këtij viti.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/