image I riu që dyshohet për vrasjen e 25-vjeçarit në Mitrovicë akoma i pakapshëm për Policinë

Siguri

I riu që dyshohet për vrasjen e 25-vjeçarit në Mitrovicë akoma i pakapshëm për Policinë

news image

Viti 2021 ishte tragjik për qytetin e Mitrovicës, pasi u vranë 5 persona. Në mesin e tyre është edhe 25-vjeçari Albert Muja. Ndonëse kanë kaluar më shumë se 3 muaj, i dyshuari kryesor për vrasjen e tij gjendet ende në arrati. Lundrim Beqiri, 22-vjeçar është shpallur në kërkim më 1 dhjetor 2021, por që nga dita kritike Policia ende s’ka rënë në gjurmët e tij, raporton Gazeta Sinjali.

Përveç Lundrimit që gjendet në arrati, për këtë rast dyshohet edhe shoku i tij, Ardit Zymberi i cili ndodhet në paraburgim, pasi u dorëzua te organet e rendit, disa ditë pas ngjarjes.

Si ndodhi kjo ngjarje e rëndë?

Mesnata e 30 tetorit ishte tragjike për Albertin. Ai humbi jetën pasi nuk mundi t’u bëjë ballë  plagëve që mori nga therja me thikë.

Gjithçka i parapriu një zënke që kishin mes vete viktima dhe dy të dyshuarit, Lundrim Beqiri dhe Ardit Zymberi.

Pas sulmit me thikë, Alberti përfundoi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku nuk arriti të mbijetojë dhe humbi jetën. Trupi i tij u dërgua në IML për obduksion, ndërsa po atë ditë  iu dha lamtumira e fundit në varrezat  e Shipolit, në Mitrovicë.

Në ditën kritike policia pati njoftuar se ka gjetur dhe konfiskuar një veturë e cila dyshohet se është përdorur gjatë vrasjes.  

Kush është Lundrim Beqiri?

Gazeta Sinjali në ditën kur ndodhi ngjarja tragjike ka raportuar se Lundrim Beqiri është vëllai i Valdrin Beqirit, i cili ishte arrestuar para 5 vitesh, për vrasjen me kallashnikov të studentit 21-vjeçar, Valon Sadikut, në rrugën “UÇK”, afër gjimnazit “Frang Bardhi”, në Mitrovicë.

Lundrimi i cili është vënë në kërkim të Policisë së Kosovës, si i dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”, ka qenë edhe më parë i arrestuar nga Policia e Kosovës.

Ai ishte arrestuar në vitin 2018 për armëmbajtje pa leje, në afërsi të objektit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë. Ngjarja kishte ndodhur në kohën kur po mbahej gjykimi për vëllain e tij, për vrasjen te gjimnazi i Mitrovicës.

Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/