Nuk janë të pakta rastet në Kosovë, kur viktima të dhunës në familje janë prindërit të cilët përjetojnë nga fëmijët e tyre dhunë psikike e fizike. Një rast i tillë ka ndodhur dje pasdite në Viti, raporton Gazeta Sinjali.
Një nënë ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga djali i saj 19-vjeçar.
Sinjali mëson se gjithçka dyshohet të ketë ndodhur në shtëpinë e familjes, ku pas një fjalosjeje, i dyshuari e ka goditur nënën e tij me shuplaka, duke i shkaktuar asaj lëndime trupore për çka ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore në spital.
Me t’u denoncuar rasti, 19-vjeçari është arritur që të arrestohet dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe ndaj të njëjtit të nisin hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.