image I përmirësohet gjendja shëndetësore punonjësit të "Besa Security" që u plagos dje afër Badovcit

Siguri

I përmirësohet gjendja shëndetësore punonjësit të “Besa Security” që u plagos dje afër Badovcit

news image

Dy persona, punonjës të kompanisë së sigurimeve “Besa Security” u plagosën dje rreth orës 16:45 në rrugën magjistrale Prishtinë – Gjilan, në afërsi të Liqenit të Badovcit, në një tentim grabitje të armatosur, derisa po transportonin para me automjet, shkruan Gazeta Sinjali.

Dy të plagosurit u dërguan për tretman mjekësor në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe mjeku kujdestar, Naser Syla, i tha Gazetës Sinjali mbrëmë se njëri prej tyre është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Për shkak të gjendjes së rëndë, ai ishte transferuar në Klinikën e Mjekimit Intensiv.

Shefi i kësaj klinike, Shaqir Uka, tha se i plagosuri i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik, për shkak të lëndimeve me armë zjarri që i ka marrë në anën e majtë të gjoksit.

“Pacienti të cilit iu referuat ju ka ardhë mbrëmë pas lëndimeve që ka marrë me armë zjarri në afërsi të Liqenit të Badovcit. Pas ekzaminimeve është vendos indikacioni, gjegjësisht arsyeshmëria që duhet me ju nënshtru një intervenimi kirurgjik, për shkak të lëndimeve që ka marrë me armë zjarri në regjionin e gjoksit, në anën e majtë. Pas intervenimit kirurgjik, pacienti është sjellë në Mjekimin Qendror Intensiv, ku vazhdon me marrë tretmanin edhe më tutje.”

Mirëpo, Uka tha se gjendja shëndetësore e këtij pacienti është përmirësuar dhe se tashmë ai është jashtë aparatit të frymëmarrjes dhe tërësisht i vetëdijshëm.

“Pacienti për momentin paraqet një gjendje stabile, sa u përket parametrave vital. Është jashtë aparatit të frymëmarrjes, është i vetëdijshëm dhe vazhdon të qëndrojë për tretman edhe më tutje në Mjekim Intensiv”, tha Uka për Gazetën Sinjali./Gazeta Sinjali/