Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të miturit H.L, për shkak se dyshohet që ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit, i mituri me datë 13 shkurt ka ushtruar dhunë ndaj prindërve të tij, fillimisht duke i kanosur verbalisht, e më pas duke sulmuar babanë e tij dhe duke ndërmarrë veprime për ta djegur edhe shtëpinë ku ata banonin.
Po ashtu, ai ka rezistuar edhe ndaj zyrtarëve policorë, duke sulmuar kështu njërin prej tyre me ç’rast i ka shkaktuar lëndime trupore dhe duke shfaqur në vazhdimësi agresivitet ndaj tyre.
“Gjykata duke pasur parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale,, dhe nga karakteristikat personale të të miturit i cili ka vepruar nën ndikim të narkotikëve, dhe nga sjellja e mëparshme e tij i cili është i regjistruar edhe si kryerës i shumë veprave penale, përfshirë edhe raste të dhunës në familje dhe disa vepra tjera kryesisht të kësaj natyre, Gjykata konsideron se nëse i mituri lihet në liri është e mundshme të përsëritet edhe ndonjë vepër penale me pasoja më të rënda, andaj janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Ndërsa, kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi./Gazeta Sinjali/