image I lindur pa këmbë, Zion Clark është mundës - luftëtar i MMA dhe shpresë olimpike

Sporte Luftarake

I lindur pa këmbë, Zion Clark është mundës – luftëtar i MMA dhe shpresë olimpike

news image

“Ju nuk keni nevojë për këmbë për të lënë gjurmën tuaj në këtë planet”, është motoja me të cilën Zion Clark jeton jetën e tij.

Që nga lindja amerikani ka sfiduar vazhdimisht gjasat dhe madje në mënyrë të egër, duke lundruar në çdo sfidë në rrugën e tij dhe duke krijuar një trashëgimi për t’u krenuar. 26-vjeçari ka lindur me një defekt të rrallë të quajtur “Caudal Regression Syndrome”, e cila e ka lënë pa këmbë. Pavarësisht pengesave të dukshme, ai ka vendosur tri rekorde botërore “Guinness”, ka fituar në debutimin e tij në Artet Marciale të Përziera (MMA) dhe është bërë burim frymëzimi për miliona njerëz në mbarë botën.

“Thjesht, më pëlqen të kënaqem”, tha Clark, duke shpjeguar se çfarë e motivon të vazhdojë të shtyjë kufijtë. “E dini, shumë njerëz do të ishin dorëzuar, por jo edhe unë. Unë kam gjetur diçka që më bën të lumtur dhe tani për mua limiti është vetëm qielli”.

Jeta e hershme

Clark ka pasur vështirësi në jetë. I dhënë në birësim nga nëna e tij biologjike që në lindje, Clark thotë se kaloi vite duke lëvizur mes shtëpive birësuese ku vuajti nga abuzimi mendor deri tek ai fizik. Ishte një fëmijëri që përfundimisht e bëri Clarkun të përjetonte mendime vetëvrasëse. Vetëm kur ishte 16 vjeç, Clark gjeti një familje të dashur që i dha themelet për të filluar ndërtimin e jetës së tij. Por Clark nuk është ai që ndalet në të kaluarën dhe thotë se sporti e ka ndihmuar shumë. Sipas tij, veçanërisht mundja e bëri që të merrej me jetën e tij, e cila deri atëherë dukej se ishte monotone dhe vetëm vuajtje. Sporti i lashtë ia mësoi atij disiplinën, zgjeroi rrethin e tij shoqëror dhe i dha një ndjenjë të vetëvlerësimit ndërsa mësoi të “lundronte në botë” me dy duar. Clark hodhi poshtë përdorimin e këmbëve protetike për shkak të asaj se sa pakëndshëm e bënin të ndihej.

Mundja gjithashtu frymëzoi Clarkun për të shkuar çdo ditë në palestër, duke bërë një transformim të madh në trupin e tij. Pas vitesh stërvitje, amerikani u bë një forcë për t’u llogaritur në tapet, ku përballej dhe mposhti rregullisht kundërshtarë të aftë. Në vitin e fundit të shkollës së mesme Clark e përfundoi sezonin me bilanc prej 33 fitoresh e 15 humbjesh dhe vetëm për pak humbi mundësinë për të arritur deri në Kampionatin Shtetëror të Shkollave së Mesme të Ohios. Ai vazhdoi të garonte në nivelin kolegjial me “Kent State University” duke u bërë më i mirë dhe më i fortë çdo vit. Sapo e zbriste kundërshtarin në tapet, shumë pak mund të gjenin një rrugëdalje.

“Ka një thënie që sapo të keni luftuar, gjithçka tjetër në jetë bëhet e lehtë dhe unë e besoj me gjithë zemër këtë”, tha Clark. “Është një sport për të gjithë. Çdokush mund të bashkohet dhe të merret me këtë sport. Çdokush mund të jetë i suksesshëm. Duhet shumë punë. Duhet shumë kohë. Por nëse mund të gjeni paqe në të, gjeni gëzim dhe kjo ju bën të ndiheni të vlerësuar”.

Ëndrra “Parisi 2024”

Qielli ishte me të vërtetë kufiri për Clarkun, i cili nuk ishte i kënaqur vetëm me suksesin në mundje. Në një gjueti për sfida të reja, ai testoi përgatitjen në arena të reja, veçanërisht në garat me karroca dhe në palestër. Pa frikë nga vendosja e nivelit të lartë, Clark ia kushtoi jetën përfaqësimit të vendit si në Lojërat Olimpike në mundje, ashtu edhe në Lojërat Paralimpike në garat me karrocë. Ai ende ka shpresa për të arritur në LO “Parisi 2024” dhe po ndjek një program të përkushtuar dhe rraskapitës stërvitjeje për ta bërë realitet atë ëndërr.

Krahas ambicieve të tij olimpike dhe paralimpike, Clark është futur edhe në botën e MMA-së profesionale. Në mënyrë të pabesueshme ai fitoi luftën e tij të parë në vitin 2022, duke mposhtur një kundërshtar me aftësi të plota. Ishte një vepër që e vuri emrin e tij në dritë dhe i dha oreks për më shumë. Me kalimin e viteve, Clark ka vendosur gjithashtu tri rekorde botërore, ku njëri prej tyre është si “njeriu më i shpejtë me dy duar”.

Clark do të përpiqet të thyejë një nga rekordet e tij përsëri vitin e ardhshëm, duke u përpjekur të ecë edhe më shpejt se 4.78 sekonda që iu deshën për të kaluar 20 metra me duar.

“Kujt nuk i pëlqen të vendosë rekord të ri? Unë dua të thyej rekorde të reja dhe jam i gatshëm për këtë vitin tjetër”, paralajmëroi Clark.

Kur pyetet se çfarë e shtyn të mbajë një intensitet të tillë në jetën e tij, përgjigjja e Clark është e thjeshtë.

“Asgjë nuk më bën më të lumtur sesa të grushtoj dikë në fytyrë ose ta rrah dikë. Pra, të fitoj në gara të MMA dhe mundjes”, u shpreh ai.

/GazetaSinjaliSport/