Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë kundër kryetarit të komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq dhe drejtorit të arsimit të kësaj komune Goran Mirkoviq për shkak të veprës penale ‘’Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, nga data 01 shkurt 2018, 15 mars 2018 dhe në maj të vitit 2018, në komunën e Kllokotit, me dashje, për shkak të bindjeve politike u kanë mohuar dhjetëra të dëmtuarve të drejtat e përcaktuara me Kushtetutë dhe ligjin e punës.
Për shkak se të dëmtuarit nuk kanë pasur bindje të njëjta politike, me të pandehurit dhe kanë përkrahur një tjetër subjekt politik, i pandehuri Bozhidar Dejanoviq sapo kishte marr postin e kryetarit të komunës së Kllokotit, emëron të pandehurin tjetër Goran Mirkoviq drejtor të arsimit dhe në bashkëveprim ushtrojnë presion tek të dëmtuarit që të japin dorëheqje.
Në këtë mënyrë të njëjtit, pa respektuar procedurat e parapara me kontratën kolektive dhe ligjin e punës, në mënyrë selektive u kanë ndërprerë katërdhjetë (40) punëtorëve arsimorë dhe dhjetë (10) punëtorëve shëndetësorë marrëdhënien e punës, në komunën e Kllokotit, kinse për shkak të kontratave të kundërligjshme, mospërmbushjes së detyrave, shkurtimit buxhetor etj., pa asnjë procedurë disiplinore dhe pa paralajmërim, përkundër asaj që të njëjtit kishin kontrata valide.
Përpos tjerash, të njëjtit pa eliminuar shkeljet, më 14 mars 2018, kanë shpallur konkurs, duke pranuar punëtorë sipas bindjeve të tyre politike, duke iu shkelur, mohuar dhe kufizuar të dëmtuarve të drejtat e parapara me ligjin e punës. / Gazeta Sinjali/