image I kërkuari nga policia lajmërohet nga arratia në Gazetën Sinjali - Sinjali

I kërkuari nga policia lajmërohet nga arratia në Gazetën Sinjali

news image

Fetah Ferid Leci, djali i policit të dyshuar për veprimtari kriminale në zonën e Karaçevës, i cili po ashtu dyshohet se është bashkëkryerës i këtyre veprimtarive, është lajmëruar sot në Gazetën Sinjali nga arratia.

Ai ka kërkuar që Gazeta Sinjali t’i ndalë postimet lidhur me babanë e tij, policin Ferid Leci, pasi që sipas tij dyshimet e prokurorisë se ai ka kryer këto veprimtari janë të pavërteta.

“A keni mundësi me i ndërpre këto postime për babën tim, se shumë jeni gabim. Prisni le të vendos gjykata  e pastaj bëni publikime. Nëse keni diçka personale me babën tim, se siç po  shihet në postime, shumë po kapeni ‘Ferid Leci, Ferid Leci’. Unë jam djali i tij dhe shumë si familje jeni duke na dëmtu moralisht. Nëse keni mundësi ndalni këto postime, se nuk janë të vërteta aspak. Nëse doni për lopë po ju tregoj. Lopë të kontrabanduara nuk e kemi asnjë. Asnjë lopë nuk na është konfisku. Ju lutna, ndalni këto postime. Unë si njeri po ju lutna, ndalni këto postime se nuk janë të vërteta aspak. Në qoftë se vazhdoni, unë do të ju padis në gjykatë”, ka shkruar ai.

Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi se përveç Fetah Ferid Lecit, dyshohet se në arrati ndodhet edhe N.Leci xhaxhai i tij, vëllai i policit Ferid Leci, pasi që Policia e Kosovës i shpalli ata në kërkim.

Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se këta të dy dyshohet se kanë kryer veprat penale “Kontrabandim dhe organizim i lojërave të fatit” në zonën e Karaçevës, bashkë me policin Leci, i cili u vetëdorëzua dje në polici.

Fetah Ferid Leci (i biri i policit Ferid Leci)

Polici Ferid Leci u vetëdorëzua, pasi fillimisht u arratis dhe u shpall në kërkim nga Policia e Kosovës gjatë aksionit në zonën e Karaçevës.

Prokuroria Themelore mbrëmë kërkoi paraburgim për 30 të ndaluarit në mega-aksionin në fjalë, në mesin e të cilëve është edhe polici Leci.

Seanca për caktimin e masës së paraburgimit do të mbahet sot, para gjyqtarit të procedurës paraprake.

Gazeta Sinjali raportoi që forcat e rendit bastisën natën e aksionit shtëpinë e Ferid Lecit në Hodonoc të Kamenicës, brenda së cilës u gjetën armë zjarri pa leje, para të gatshme dhe gjësende tjera të kundërligjshme. 

Në shtëpinë e tij dyshohet se janë sekuestruar edhe disa telefona celularë të cilët do të dërgohen për ekzaminim, nga ku pritet që të nxirren prova për të mbështetur pretendimet e prokurorisë për veprimtaritë ilegale të të dyshuarit.

Në një distancë prej rreth dy kilometra nga shtëpia e tij, përballë një restoranti në dalje të fshatit Hodonoc, është lokalizuar edhe një stallë me rreth 100 krerë lopë, e cila dyshohet se është në pronësi të policit të vetëdorëzuar dhe familjes së tij.

Gazeta Sinjali mbrëmë po ashtu raportoi se në mesin e 61 krerëve lopë që u konfiskuan gjatë mega-aksionit të policisë në zonën e Karaçevës, rreth 40 prej tyre dyshohet se janë nga ferma e familjes së policit Leci.

Kafshët janë verifikuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës dhe kanë rezultuar se janë të kontrabanduara.

Burime të Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se këto kafshë janë dërguar që të theren për mish për të burgosurit në Burgun e Dubravës.

Lajmin se kafshët kanë qenë të kontrabanduara dhe se tani janë dërguar për në Burgun e Dubravës e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Naser Krasniqi.

“Po shiko, e vërtetë është, por kujt iu kanë konfisku, unë nuk e kam informatën, nuk e di kujt. Ato janë kafshë të kontrabanduara. Unë nuk e di as personin kujt iu kanë konfisku. Mbi 60 kafshë janë të kontrabanduara, kanë dalë pa numra identifikues. Ato janë dërgu në Burgun e Dubravës”, tha Krasniqi.

Leci dyshohet se nuk luftoi krimin dhe korrupsionin në zonën ku shërbeu për një kohë të gjatë, por iu bashkua grupeve kriminale që në mënyrë ilegale arritën të përfitonin materialisht.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin