image I kërkuar në 200 shtete, arrestohet lideri i Kartelit të Sinaloas, pasi e dashurua publikoi foto në Facebook

Botë

I kërkuar në 200 shtete, arrestohet lideri i Kartelit të Sinaloas, pasi e dashurua publikoi foto në Facebook

news image

Një prej figurave kryesore të Kartelit të Sinaloas, i cili është i shpallur në kërkim në 200 shtete të botës, u arrestua të premten në Kolumbi pasi e dashura e tij postoi një fotografi të të dyve në Facebook.

Brian Donaciano Olguin Berdugo, i njohur si Pitt, u arrestua në një apartament në qytetin kolumbian Kali (Cali). Meksikani raportohet të ketë shkuar në Kolumbi për të mbyllur një marrëveshje për blerjen e kokainës nga Forcat e Armatosura Revolucionare të Ushtrisë Popullore (FARC).

Sipas mediave lokale Bedrugo la pas dore të gjitha protokollet e sigurisë teksa pranoi të shëtiste edhe në pika turistike tepër të vizituara të Kalit, me të dashurën e tij modele, emri i së cilës nuk është bërë publik. Fati i tij u vulos kur agjentët e DEA-s zbuluan foton dhe informuan autoritetet lokale. 39-vjeçari u mbajt nën vëzhgim nga shërbimi informativ kolumbian për dy javë e më pas u arrestua, shkruan abcnews.

Ai po mbahet në burg deri në plotësimin e dokumentacionit për ekstradimin  në Shtetet e Bashkuara. Avokatët e tij po e kundërshtojnë këtë përpjekje, ndërsa policia pretendon se kishte marrë edhe një ofertë prej 265 mijë dollarësh për lirimin e tij.

Karteli i Sinaloas, dikur i drejtuar nga trafikanti famëkeq Joaquin El Chapo Guzman, konsiderohet edhe sot si një ndër organizatat më të mëdha kriminale në botë, bashkë me kartelin tjetër meksikan Jalisco Nueva Generacion.

/GazetaSinjali/