image I infektuari me koronavirus nga Prizreni është në gjendje kritike

Kosovë

Shëndetësi/ I infektuari me koronavirus nga Prizreni është në gjendje kritike

news image

Pesë persona të prekur me koronavirus nga Komuna e Prizrenit janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive të QKUK-së, ndërsa një i prekur tjetër nga kjo komunë është në gjendje kritike, shkruan Gazeta Sinjali.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka.

“Në Komunën e Prizrenit momentalisht janë 29 raste aktive me koronavirus. Nga këta pesë janë duke u trajtuar në QKUK, ndërsa njëri është në gjendje kritike dhe është në Intensivë”, tha Haskuka.

I pari i Prizrenit tha se në komunën që ai drejton janë shëruar dy persona të cilët kanë qenë të prekur me koronavirus, kurse një person tjetër ka ndërruar jetë.

I pyetur se nga cilat vende vijnë të infektuarit nga kjo komunë, Haskuka njoftoi se rastet pozitive me COVID-19 në Komunën e Prizrenit janë nga qyteti i Prizrenit dhe dy fshatrat: Korishtë dhe Skorobishtë.

Ai tha se Skorobishta dhe Korishta deri para pak ditëve kanë qenë në karantinë, kurse kjo e fundit nuk është më e izoluar për shkak se siç njoftoi kryetari i Prizrenit, nuk ka pasur raste të reja me koronavirus.

Në këtë video Haskuka foli edhe për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia, nga Komuna e Prizrenit.

“Ne si komunë kemi bërë dy lloje të aktiviteteve në këtë periudhë. Aspekti i parë është parandalimi të përhapjes së pandemisë sipas udhëzimeve dhe masave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës. Këtu e kemi punën e Inspektoratit komunal së bashku me Policinë e Kosovës, si dhe me Drejtorinë e Shëndetësisë të cilët kanë implementuar të gjitha masat dhe urdhëresat të cilat kanë ardhur nga ministritë përkatëse lidhur me parandalimin e virusit COVID-19. Në të njëjtën kohë për shkak të ndalimit të aktiviteteve ekonomike dhe për shkak të masave është paraqitur nevoja për të ndihmuar qytetarët e Komunës së Prizrenit në aspektin ekonomik dhe social. Këtu së bashku me Drejtorinë e Mirëqenies Sociale kemi punuar në ofrimin e ndihmave përmes pakove ushqimore dhe me pako higjienike”, tha ai.

Haskuka bëri të ditur se deri tani, me ndihmën e organizatave të shoqërisë civile dhe donatorëve të ndryshëm, janë shpërndarë mbi 2000 pako.

I pari i Prizrenit premtoi se ndihmat me pako do të vazhdojnë, pasi siç tha ai e kanë parasysh numrin e madh të punëtorëve që kanë punuar pa kontrata pune dhe me mëditje të cilët tani kanë mbetur pa të ardhura.

Ai tha se komuna që ai udhëheq ka pranuar shumë donacione nga organizata vendore dhe ndërkombëtare, Kryqi i Kuq e nga bizneset kryesore.

Kurse, si sfidë më të madhe të Komunës së Prizrenit gjatë kësaj situate Haskuka e sheh mosrespektimin nga ana e qytetarëve e masave të vendosura nga Qeveria në detyrë e Kosovës.

Andaj, kryetari i prizrenit apleoi që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin, përveçse në raste të domosdoshme.

“Këto masa i kemi për parandalimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19, vendet me sistem shëndetësor shumë të zhvilluar se Kosova nuk kanë arritur të menaxhojnë numrin e madh të të infektuarve, janë në kolaps. Prandaj, ne nuk mund të eksperimentojmë. Nuk kemi kapacitete për të gjithë, prandaj duhet të mbajmë në shkallën më të ulët shkallën e përhapjes së koronavirusit dhe për këtë duhet të respektojmë masat të cilat i ka ndërmarrë qeveria. Pra, rrini në shtëpi, mos dilni nga shtëpia, nëse nuk është e domosdoshme. Por, edhe kur të dilni, të dilni sipas orarit që e ka përcaktuar Ministria e Shëndetësisë. Çdo që mund të kthehet mbrapa, pos jetës së njerëzve. Prandaj, të ruajmë familjet tona, ngase nëse i humbim ata, nuk mund t’i kthejmë”, apeloi Haskuk./Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/302386263765011/videos/247300769973729/