image I dënuari për lidhje me banda kriminale në SHBA, anëtar i AAK-së

Kosovë

Foto/ I dënuari për lidhje me banda kriminale në SHBA, anëtar i AAK-së

news image

Një 28-vjeçar i dënuar për “rrahjen e njerëzve të pafajshëm” dhe për lidhje me banda kriminale në shtetin e Virxhinias në SHBA, muaj më parë u prezantua si anëtar i ri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, partisë së kryeministrit në largim, Ramush Haradinajt. 

“Tu rritë nera”, i thoshte Haradinaj, Mentor Bislimit, kur në prill pranoi kartelën e anëtarësimit në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Haradinaj e Bislimi nuk ndërruan më shumë fjalë me njëri-tjetrin. Haradinaj vazhdoi në mënyrë të zakonshme t’i prezantonte anëtarët e tjerë të rinj.

Mirëpo, Mentor Bislimi nuk është një anëtar i zakonshëm i AAK-së. E zakonshme nuk është as e kaluara e tij.

Në fakt, 28-vjeçari nga Ferizaj ka një të kaluar të errët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shumicën e kohës si emigrant në SHBA, Bislimi e ka kaluar në burg. Ai ishte arrestuar në vitin 2009 në Virxhinia të SHBA-ve dhe ishte dënuar me dhjetë vjet burgim, shkruan Gazeta Sinjali.

Gjykata kishte vërtetuar se asokohe 19-vjeçari kishte rrahur njerëz të pafajshëm në qytezën Henrico të Virxhinias.

“Këta njerëz të pafajshëm janë rrahur egërsisht”, kishte thënë zëvendësprokurori i Prokurorisë së Henrico-s, Michael Feinmel, duke iu referuar lëndimeve të pësuara nga viktimat e Bislimit dhe një të dënuari tjetër, në sulmet që kishin ndodhur në muajin shkurt të vitit 2009. 

Bislimi ishte shpallur fajtor për pjesëmarrje në një vepër penale nga e cila përfitonte një grup kriminal. Ai dhe një shok i tij – bashkëkryes i së njëjtës vepër penale, amerikani Kirkland Morris – ishin dënuar për sulm fizik, turma dhe akte të tjera kriminale nga e cila përfitonte një bandë.

Siç kishte raportuar uebsajti amerikan i lajmeve, Richmond.com në vitin 2009, anëtarët e një bande kriminale kishin dëshmuar në gjyq kundër Bislimit. Sipas tyre, një viktimë e kosovarit ishte sulmuar dhe pastaj ishte goditur në kokë; i njëjti, sipas dëshmisë, kishte pësuar dëmtime në krah dhe kishte pësuar thyerje të një kocke në fytyrë. 

Në internet gjendet edhe një dëshmi tjetër se Bislimi ka mbajtur burg. Në një rrëfim të tij për shoqatën “Inmate-Connection”, e cila ndihmon të burgosurit në SHBA për të gjetur shoqëri jashtë burgjeve, Bislimi ishte penduar për të kaluarën e tij. Kishte thënë se e çmon sinqeritetin.

Mentor Bislmi|Foto: Inmate-Connection

“[Tek vetja…] unë shoh dikë që ka kaluar shumë, ka mësuar nga momentet e ulta dhe kurrë nuk ua lejoj atyre kohërave të këqija të marrin pjesët më të mira të mijat”, kishte thënë Bislimi në rrëfimin e tij.

Edhe pse sipas vendimit të Gjykatës në vitin 2009, Bislimi do të duhej ta kryente dënimin e tij më 21 maj të vitit 2019, ai është kthyer në Kosovë para kësaj date. 

Anëtarësimi i personave të ndryshëm pa u njohur dhe pa u verifikuar paraprakisht, është bërë fenomen i partive politike në Kosovë. Përveç Mentor Bislimit, në prill u prezantuan në AAK edhe dhjetëra anëtarë të tjerë të rinj në degën e saj në Ferizaj. /Sinjali