Numri i rasteve të dhunës në vendin tonë është në rritje çdo ditë e më shumë. Çdo ditë gra që përjetojnë dhunë nga familjarët e tyre, kryesisht bashkëshortët, kërkojnë ndihmën e Policisë për të marrë mbrojtje dhe për të zgjidhur problemet, raporton Sinjali.
Kështu kishte vepruar edhe një grua nga Podujeva, burri i së cilës përfundoi në burg për shkak të dhunës në familje. Por as dënimi me burgim që i shqiptoi Gjykata siç duket nuk po ia lë shenjë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se i dyshuari, që ndodhet në vuajtje të dënimit në Burgun e Dubravës ka kërcënuar bashkëshorten e tij përmes telefonit.
Rasti u zbulua pasi viktima e raportoi kërcënimin nga bashkëshorti që ndodhet në burg, me ç’rast u iniciua rast ndaj tij.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës, ka miratuar dje ndryshimin në Kodin Penal, përmes së cilit parashihen dënime më të ashpra për të dënuarit për dhunë në familje, sulm seksual dhe për dhunim.