Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh zëdhënës i kësaj partie, Besian Mustafa ka dënuar aktin e kërcënimit me vrasje të Haxhi Hotit ndaj liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit.
Ai ka thënë se është e tmerrshme që njerëzit e tillë tentojnë të vijnë në pushtet përmes thirrjeve publike për vrasjen e kundërshtarëve politikë, e aq më shumë, të përfshihen në lista garuese për deputetë dhe të u promovohen qytetarëve kosovarë që t’i votojnë për t`i përfaqësuar.
I biri i Xhemail Mustafës ka lavdëruar punën e Policisë së Kosovës për arrestimin e kërcënuesve përderisa ka apeluar që të arrestohen vrasësit dhe urdhëruesit e vrasjeve dhe tentimvrasjeve të pasluftës.
Statusi i plotë
“E tmerrshme që 20 vjet pas luftës ende kërcënohen publikisht me vrasje politikanë, gazetarë e figura publike për bindjet e tyre. E tmerrshme që kanë guximin të tentojnë të vijnë në pushtet përmes thirrjeve publike për vrasjen e kundërshtarëve politik. E tmerrshme që të tillë përfshihen në lista garuese për deputet dhe u promovohen qytetarëve kosovar që t’i votojnë për të i përfaqësuar ata. Kosovarët kanë parë shumë vrasje e vrastarë në jetët e tyre dhe nuk pranojnë që të tillë të i përfaqësojnë!
Punë e shkëlqyeshme sot e Policisë së Kosovës arrestimi i “tij”. Koha është të arrestohen edhe vrasësit dhe urdhëruesit e vrasjeve dhe tentim vrasjeve politike pas luftës. Koha është kosovarët të ç’kapen nga krimi dhe kriminelët./Gazeta Sinjali/