Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, tha se po ta dinte që Gjykata Speciale do të rrëshqiste deri këtu, nuk do ta votonte për 1 mijë vjet.
Hyseni tha se Gjykata Speciale është votuar për një premisë të vetme, hulumtimin dhe investigimin e raportit të Dick Martyt për trafikim organesh të qenieve njerëzore.
“Skandali me Dick Marty dhe gjoja kërcënimet që po i bëhen atij ka qit në sipërfaqe diçka tjetër. Pse Kosova institucionalisht do të duhej të merrej pak më nga afër, është një arsye tjetër madhore. Dhomat e specializuar që po quhet Gjykatë Speciale janë votuar në Kuvend të Kosovë me një premisë të vetme hulumtimi dhe investigimi i pandemave në raportin e Dick Marty për trafikim organesh me qenie njerëzore. Kjo ka qenë arsyeja bosht pse është kërkuar nga Kosova, ndërkohë që sot sipas të gjitha informacioneve, ajo Gjykatë asnjë nuk merren me këtë temë fare”, tha Hyseni në T7.
Tutje ai beson se pjesa dërrmuese e deputetëve të asaj kohë nuk do ta kishin votuar Gjykatën Speciale, po ta dinin se do të rrëshqiste deri në këtë pikë.
“Ka pas dilema të mëdha të votohet apo të mos votohet. Jam bind që të votohet pikërisht për atë arsye. Po ta dija se do të rrëshqiste në diçka çfarë ka rrëshqitur nuk do ta votoja për 1 mijë vjet. Besoj se pjesa dërrmuese e deputetëve të asaj kohe mendojnë kështu”, shtoi Hyseni.