image Hyseni: LDK-ja nuk e ka ndryshuar qëndrimin rreth reciprocitetit

Kosovë

Deklaratë/ Hyseni: LDK-ja nuk e ka ndryshuar qëndrimin rreth reciprocitetit

news image

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Hyseni ka thënë në DESK të KTV-së se LDK-ja nuk e ka ndryshuar qëndrimin sa i përket reciprocitetit.

“Ka tri lloje reciprociteti që aplikohen në teorinë ndërkombëtare”, ka thënë Hyseni.

Qeveria ka vendosur reciprocitet të plotë, ka vazhduar ai, duke thënë se “nuk është aq e thjeshtë si pretendohet të prezantohet në opinion çështja e reciprocitetit”.

“Në rrethanat ekzistuese, derisa Kosova nuk e ka përmbyllur procesin e shtet-ndërtimit, aplikimi i reciprocitetit të plotë nuk është i mundshëm”, ka thënë ai, duke i dhënë arsyet.

Hyseni ka thënë se LDK-ja ka qenë e përkushtuar që Qeveria Kurti t’i përmbushte ato “kërkesa minimaliste”.

“LDK-ja ia ka bërë vazhdimisht me dije LVV-së që tarifa duhet të hiqet dhe që të bëhet një listë me masa të reciprociteit. E në vend se Kurti të pajtohej me të, atë papritur e shohim një ditë në konferencë për medie që del dhe flet për një heqje të përshkallëzuar të tarifës, e jo të plotë si kërkonte Washingtoni”, ka thënë Hyseni.

Ai ka vazhduar se Kurti “në vend ta dënjonte me përgjigje Mustafa, shkarkoi një ministër të LDK-së, pa asnjë konsultim paraprak, si ishte përcaktuar në marrëveshjen e koalicionit”.

“Kurtit i është thënë qartë se nëse nuk pajtoheni me kërkesat nga Washingtoni, të cilat janë eksplicite, LDK-ja nuk mund të qëndrojë në një Qeveri që prish raporte me partnerët strategjikë të saj. Por, kjo do të ndodhte pas pandemisë. E Kurti u përgjigj me shkarkimin e një zyrtari të lartë”, ka thënë ai. /Gazeta Sinjali/