Kryetari Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Ekrem Hyseni, ka folur për zgjedhjet lokale, ku tha se kryeministri Albin Kurti kishte ardhur nga Parisi në Podujevë, për të bërë fushatë kundër tij.
Hyseni tha se ka qenë kërkesë e votuesve të LDK-së që të ketë ndryshime në degën e Podujevës.
“Ka qenë pikërisht rezultati i keq që kemi pasur si LDK në Podujevë në dy herët e fundit në zgjedhjet lokale që ishin të parakohshme dhe që ne nuk fituam, dhe po ashtu në zgjedhjet qendrore të cilat patëm një rezultat të keq me vetëm 9000 vota si degë, që ishte numri më i vogël i votave që ka pasur ndonjëherë LDK-ja në Podujevë, edhe ka qenë pikërisht kjo si lloj kërkesë nga qytetarët me pas ndryshime dhe reforma”, tha ai.
Hyseni ndër të tjera ka thënë se ka pasur shumë faktorë që kanë ndikuar, por ajo që vërtet ka qenë e pakënaqshme ka qenë rezultati në zgjedhje.
“Dega është jashtëzakonisht unike, çdo thirrje me strukturat shumica absolutë janë prezentë, ne kemi grupin e asamblistëve, pa pushtet, ne humbëm një garë dhe kishim 14 asamblistë pa pushtet, me oferta të ndryshme dhe nga faktorë përveç partisë që është në pozitë, me oferta të ndryshe ka pasë edhe faktorë të jashtëm që kanë tentuar për të përçarë grupin, sot grupi është unik dhe asnjë nuk ka lëvizë, për dallim prej shumë komunave të tjera që nga të gjitha partitë kanë lëvizë, kjo tregon unitetin e grupit”, shtoi Hyseni, në KlanKosova.
Hyseni ka folur edhe për mënyrën e opozitarizmit që do ta bëjnë në Podujevë.
“Nuk do të japim shembull te qytetarët, se si ne ju themi që sot rryma elektrike është shumë lirë, dhe kur vimë ne e shtrenjtojmë dhe themi keni qenë duke e paguar dhe nuk e keni ditur sa është fatura”.
Ai tutje ka folur edhe për zgjedhjet e fundit lokale. Ai tha se vetë kryeministri Albin Kurti ka ardhur nga Parisi në Podujevë për të bërë fushatë kundër tij.
“Ne kemi qenë të vetëm në këto zgjedhje lokale, ne ekipi dhe qytetarët, jo vetëm të tjerët, të tjerët dhe pushtetet, jo pushteti po pushtetet, e kemi pas kundër pushtetin lokal me premtime të jashtëzakonshme për punësime, projekte të realizuara gjatë fushatës dhe gjatë natës për fushatë, dhe tani po tenton që të lidhen kontrata për punë që janë kryer atëherë. Pushteti qendror, qeveria ministrat dhe vetë kryeministri nga Parisi vjen në Podujevë, kjo ka qenë thyerje e heshtjes zgjedhore”, ka deklaruar Hyseni. /GazetaSinjali/