Hungaria sot ka filluar vaksinimin antiCOVID.
Kështu, ky shtet u bë vendi i parë i Bashkimit Evropian që nis vaksinimin kundër koronavirusit, një ditë më herët se Franca dhe Gjermania.
Agjencia shtetërore e lajmeve, MTI, tha se vendi i Evropës Qendrore ka filluar ta shpërndajë vaksinën e kompanive Pfizer dhe BioNTech te punëtorët shëndetësorë në spitalet e kryeqytetit Budapest pasi e pranoi dërgesën e parë që mjafton për vaksinimin e 4.875 personave.
Personi i parë që e mori vaksinën ishte punëtorja shëndetësore, Adrienne Kertesz, që punon si mjeke në Spitalin “Del-Pest”, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Sinjali.
“Jemi shumë të lumtur që vaksina është këtu. Do ta marrim vaksinën, sepse bija jonë ka lindur foshnjë në Francë muajin e kaluar dhe duam të shkojmë dhe t’i shohim. Nuk guxojmë të udhëtojmë pa e marrë vaksinën”, tha një zonjë e moshuar, që po luante ping-pong me burrin e saj në një park të Budapestit.
Vaksinimi në Hungari filloi një ditë para se ky proces të nisë edhe në Francë, Gjermani, Itali, Austri, Portugali dhe Spanjë, siç është planifikuar dhe paralajmëruar ditë më parë.
Shpërndarja e vaksinës së blerë nga Bashkimi Evropian paraqet sfidë mjaft të madhe, sepse ajo duhet të mbahet në ftohës të veçantë, në temperaturë -80 gradë./Gazeta Sinjali/