Një ligjvënës i djathtë në Sllovaki e ka humbur mandatin në parlament, pasi Gjykata Supreme e vendit la në fuqi dënimin e tij për racizëm.
Gjykata Supreme e Sllovakisë, të martën, mbajti në fuqi dënimin e një gjykatë më të ulët, e cila kishte vendosur që, Milan Mazurek i Partisë Popullore “Sllovakia Jonë” ka bërë komente raciste dhe të paligjshme ndaj komunitetit rom, gjatë një transmetimi në radio më 2016.
Në deklaratat e tij ai fliste për një “terror rom” duke thënë se romët “kurrë nuk kanë bërë asgjë për kombin”.
Mazurek u deklarua i pafajshëm dhe apeloi dënimin e tij, vitin e kaluar.
Gjykata Supreme e gjobiti atë me 10.000 euro, duke dyfishuar dënimin e gjykatës së ulët.
Mazurek është ligjvënësi i parë sllovak që humb mandatin pas një dënimi penal.
Anëtarët e partisë së tij përdorin përshëndetjet naziste, fajësojnë romët për krim, e quajnë NATO-n një grup terrori, dhe dëshirojnë që Sllovakia të largohet nga aleanca dhe Bashkimi Evropian.