Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se e mbështet plotësisht vendimin e qeverisë për targat e makinave, duke shtuar se ShBA dhe BE duhet të reagojnë ndaj këtij agresioni të Serbisë të ndërmarrë me mbështetjen e Rusisë.
Hoxhaj, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka thënë se derisa ishte në qeveri, ka mbështetur reciprocitetin me Serbinë, veçanërisht, siç u shpreh ai, kur ata nuk arritën të respektonin marrëveshjet e Brukselit.
“Kur isha në Qeveri, unë mbështesja reciprocitetin me Serbinë, veçanërisht kur ata nuk arritën të respektonin marrëveshjet e Brukselit! Tani si deputet i opozitës, unë gjithashtu mbështes plotësisht vendimin e drejtë të Qeverisë për targat e makinave. SHBA dhe BE duhet të reagojnë ndaj këtij agresioni të Serbisë të ndërmarrë me mbështetjen e Rusisë”, ka shkruar Hoxhaj.