image Hoxhaj: E padinjitetshme se si Kurti tha se është informuar më shumë nga Lajçaku për dialogun

Politikë

Hoxhaj: E padinjitetshme se si Kurti tha se është informuar më shumë nga Lajçaku për dialogun

news image

Lideri i opozitës, Enver Hoxhaj, e ka cilësuar të padinjitetshëm deklarimin e kryeministrit, Albin Kurti, se nuk i janë dorëzuar dokumentet për dialogun Kosovë – Serbi.

Hoxhaj tha se asnjë kryeministër nuk e thotë publikisht, në mënyrën siç e tha Kurti se është i informuar për dialogun më shumë nga emisari special i BE-së për dialogun, Mirsolav Lajçak.

“Kjo është e padinjitetshme. Nuk e thotë asnjë kryeministër publikisht në mënyrën siç e tha Kurti se është informuar më shumë nga Lajçak. Unë mendoj që jo në Qeveri të Kosovës, por edhe organizata joqeveritare në Kosovë, të cilët e kanë përcjell dialogun, i kanë të gjitha marrëveshjet e dialogut. Nuk duhet të bëjë filma, për të krijuar situatë që nuk ka dokumentacion”, tha Hoxhaj në RTK.

Kujtojmë se Kurti gjatë takimit në Bruksel tha se Qeveria Hoti nuk ia ka dorëzuar dokumentet për dialog, ndërsa lidhur me këtë ka reaguar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Ish-kryeministri Hoti është sqaruar edhe njëherë për sa i përket dorëzimit të dokumenteve të dialogut, tek kryeministri aktual Albin Kurti. Për mosdorëzimin e këtyre dokumenteve Kurti është ankuar edhe tek kryediplomati evropian, Josep Borrell.

Ai ka publikuar listën e dokumenteve mbi procesin e dialogut që ia ka dorëzuar Kurtit.

Sipas Hotit, Kurti i është dorëzuar dokumenti për pozicioni i Republikës së Kosovës në dialog me Serbinë, raporti i detajuar (29 faqe) mbi kronologjinë e të gjitha zhvillimeve lidhur me dialogun.

Po ashtu, ish-kryeministri sqaroi se janë dorëzuar të gjitha dokumentet e dakorduara në Bruksel në disa runde të dialogut, si dhe dokumenti voluminoz përgatitor për dialog lidhur me obligimet financiare të Serbisë ndaj Kosovës.

Kurtit gjithashtu i është dorëzuar edhe vendimi i Qeverisë për Këshillin e Ekspertëve për dialog dhe marrëveshjet me Qeverinë Norvegjeze dhe Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për mbështetje për Këshillin e Ekspertëve për dialog./Gazeta Sinjali/