image Hovenier zbulon një nga zotimet e rëndësishme mes palës kosovare dhe serbe në marrëveshjen për targat

Politikë

Hovenier zbulon një nga zotimet e rëndësishme mes palës kosovare dhe serbe në marrëveshjen për targat

news image

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffery Hovenier, është deklaruar sërish lidhur me marrëveshjen e arritur mes Kosovës e Serbisë për targat ilegale e po ashtu edhe për marrëveshjen finale, raporton Gazeta Sinjali.

Hovenier ka deklaruar se Bashkimi Evropian është adresa e duhur për t’u përgjigjur në pyetjet, nëse ka ndonjë afat kohor për marrëveshjen finale, teksa ka zbuluar një zotim që kanë bërë palët në marrëveshjen për targat.

“E dini, është gjithmonë sfiduese të vendosësh një afat për negociata, veçanërisht kur nuk je pjesëmarrës. Kjo varet nga vetë palët, por një nga zotimet e rëndësishme që është bërë nga të dyja palët me marrëveshjen e djeshme është dhe citoj “të fokusohemi që të koncentrohemi plotësisht me urgjencë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve”. Dokumenti në vetvete parashtron disa takime specifike të udhëhequra nga BE-ja, qëllimi i të cilave është që të punohet drejt tyre dhe të prezantohen rezultate. BE-ja mund të flasë për këto afate, por kjo është në një rrugë të shpejtë, kjo është në një afat kohor që e tregon urgjencën e kësaj çështjeje”, ka thënë Hovenier në Klan Kosova.

Për marrëveshjen për targa, Hovenier ka thënë se e shohin arritjen e saj si një sukses shumë të madh dhe një hap shumë të madh përpara.

Hovenier ka theksuar se palët në dialog duhet të tregojnë fleksibilitet dhe kreativitet për të ecur para me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve.

/GazetaSinjali/