image Hovenier ia bën një përmbledhje vizitës së Chollet-it: Partneriteti ynë me Kosovën është i fortë

Politikë

Hovenier ia bën një përmbledhje vizitës së Chollet-it: Partneriteti ynë me Kosovën është i fortë

news image

Ambasadori amerikan në vendin tonë, Jeff Hovenier, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë partneritet të fortë me Republikën e Kosovës. Këtë e tha përmes një postimi në rrjete sociale pasi një përmbledhjeje që i bëri vizitës së Këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

“Kënaqësi të mirëprisja dje në Kosovë Këshilltarin Chollet. Partneriteti ynë me Kosovën është i fortë. Ndërsa ishte këtu, Këshilltari Chollet u takua me liderë të ndryshëm, përfaqësues qeveritarë e shoqërisë civile dhe gazetarë”, shkroi Hovenier.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, në përfundim të vizitës së tij në Prishtinë tha se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe se presin nga “Qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë”.

“Ne besojmë se Asociacioni është një çështje urgjente, është një çështje urgjente në agjendën e dialogut, ka marrë një rëndësi edhe më të madhe pas ngjarjeve të fundit në veri”, tha Chollet gjatë një bisede me gazetarë.

Ai shtoi se SHBA-ja nuk mbështet diçka që i ngjan Republika Srpskës.

Ndryshe, në takimin që pati me Chollet, presidentja Vjosa Osmani falënderoi zyrtarin e lartë amerikan për angazhimin proaktiv të Shteteve të Bashkuara në procesin e dialogut, duke theksuar se angazhimi i shtuar amerikan në këtë drejtim është vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ndërsa edhe në takimin mes Chollet dhe kryeministrit Kurti u tha se është diskutuar edhe për procesin e dialogut, planin Evropian dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, thuhej në komunikatë.

/GazetaSinjali/