Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka kërkuar sërish që Qeveria e Kosovës ta shtyjë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore.
Siç tha me këtë kërkesë, SHBA dhe as partnerët ndërkombëtarë nuk po e kontestojnë autoritetin e Bankës Qendrore dhe as Kushtetutën e Kosovës, por është e shqetësuar me mënyrën se si rregullorja planifikon të zbatohet pas marr parasysh disa realitete.
”Mendoj se krejt çka mund të bëj është të flas për kërkesën e qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Para së gjithash, më lejoni të sqaroj disa gjëra. Kërkesa jonë është shumë e qartë. Ne po i kërkojmë qeverisë, jo vetëm unë, ka kërkesa edhe nga Uashingtoni, por edhe kolegët e mi të QUINT-it e kanë këtë pikëpamje, që qeveria tash për tash do të duhej të shtyjë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore”.
”Po e kërkojmë këtë sepse besojmë që puna parapërgatitore e nevojshme për zbatimin me sukses të saj në mënyrë që të mos ketë ndikim të padrejtë në komunitetet e cenuara – dhe po flasim për komunitetet pakicë, po flasim, ndër të tjera, për komunitetin etnik serb në Kosovë – se puna që duhet bërë, që është dashur të bëhej për të shmangur ndikimin e saj negativ nuk është bërë. Më lejoni të jem shumë i qartë për këtë. Ne nuk e kontestojmë Kushtetutën e Kosovës. Ne e pranojmë dhe e respektojmë atë. Për hir të Zotit, ne e mbështetëm procesin dhe zhvillimin e tij. Ne nuk i kontestojmë autoritetet e Bankës Qendrore të Kosovës për të rregulluar sektorin financiar”.
”Në fakt, sërish, qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare për rolin që kemi luajtur në mbështetje të zhvillimit të Bankës Qendrore, Ministrisë së Financave dhe institucioneve të tjera. I mirëpresim përpjekjet e Kosovës, si çdo vend tjetër në botë, për të vënë në zbatim rregulloren, ligjin, procedurat që zvogëlojnë mundësitë për kryerjen e krimeve financiare, si pastrimi i parave, financimi i terrorizmit, gjëra të tilla. Pra, ne nuk kemi problem filozofik që Banka Qendrore të vendosë një rregullore që do t’i përmbushte këto synime”.
”Jemi të shqetësuar se mënyra në të cilën kjo rregullore po zbatohet apo planifikohet të zbatohet nuk merr parasysh siç duhet disa realitete. Dhe këto realitete për të cilat ne besojmë se nuk merren parasysh në mënyrë adekuate ndikojnë drejtpërdrejt në një nga çështjet më të ndjeshme në dialogun bilateral… në dialogun Kosovë-Serbi që ne e mbështesim e që janë veprimet që prekin komunitetet pakicë në Kosovë, veçanërisht komunitetin serb. Kjo është arsyeja e kërkesave tona”, tha ai për RTV21.