Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se pas hyrjes në fuqi të ligjit për zyrtarët publik, këtyre të fundit nuk do të iu vazhdohet mandati në mënyrë automatike, shkruan Gazeta Sinjali.
“Me mbarimin e mandatit të zyrtarëve në pozita të larta publike, do të hapet konkursi sipas ligjit për të siguruar mundësi të barabarta për të gjithë, garë të hapur dhe transparencë. Vetëm kjo qasje na siguron se përzgjidhen më të mirët”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Madje, Hoti është shprehur se ky proces do të mbikëqyret nga ekspertët ndërkombëtarë.
Hoti ka bërë të ditur se konkursi për bordet e ndërmarrjeve publike është i hapur deri më 14 gusht të këtij viti.
“Konkursi për bordet e ndërmarrjeve publike është i hapur deri më 14 gusht 2020. Ftoj të gjithë të interesuarit të konkurrojnë. Do të sigurohet transparencë e plotë në përzgjedhje, ndërsa procesi do të mbikëqyret nga ekspertët e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar. Ftoj edhe organizatat e shoqërisë civile ta mbikëqyrin nga afër këtë proces”, përfundon ai. /Gazeta Sinjali/