image Hoti e viziton QKUK-në dhe IKSHPK-në, kërkohet që të shmangen vizitat te njëri-tjetri për Bajram - Sinjali

Hoti e viziton QKUK-në dhe IKSHPK-në, kërkohet që të shmangen vizitat te njëri-tjetri për Bajram

news image

Kryeministri Avdullah Hoti, sot e ka vizituar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Hoti e ka falenderuar personelin shëndetësor për punën në këtë situatë, ndërsa ka shtuar se ata nuk mund ta lënë frontin as sot, shkruan Gazeta Sinjali.

“Personeli mjekësor në këtë ditë feste janë në krye të detyrës, nuk mund ta lënë frontin… E di që janë lodhur tash e gjashtë muaj që përballen me këtë situatë… Jam sot këtu për të treguar vlerësimin tonë për punën që po bëjnë, për të dëgjuar vlerësimin e tyre dhe parashikimet për javët dhe muajt e ardhshëm, për përgatitjet që ne duhet bërë”, tha Hoti.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi e përsëriti kërkesën që sot qytetarët të mos shkojnë për vizita te njëri-tjetri me rastin e festës së Kurban Bajramit.

“Kemi një mesazh shumë të qartë për sot. Ju lutem të gjithë qytetarëve që të festojnë me anëtarët e tyre të familjes, të rrijnë në shtëpitë e tyre, në mënyrë që më pastaj të mund të festojmë bashkërisht”, tha Krasniqi.

Ndërkohë drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj e vlerësoi punën e mjekëve dhe gjithë personelit shëndetësor, kurse drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani tregoi se kryeministri e pa nga afër punën e ekipeve emergjente në gjurmimin e rasteve.

“Kryeministri për së afërmi e pa punën e ekipeve emergjente dhe punën që po bëhet në gjurmimin e rasteve”, tha ai.

Ramadani ripërsëriti se kërkesat për parandalimin e përhapjes së COVID-19 janë të thjeshta: mbajtja e maskës, distancës dhe higjena personale. /Gazeta Sinjali


Shpërndaje artikullin