image Hoti, Veliu e Likaj raportojnë në Kuvendin e Kosovës

Politikë

Hoti, Veliu e Likaj raportojnë në Kuvendin e Kosovës

news image

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancën e parë të sesionit vjeshtor, pas kthimit të deputetëve nga pushimi, shkruan Gazeta Sinjali.

Në këtë seancë, e cila pritet të fillojë nga ora 11:00, përveç tjerash, pritet të votohen pikat e mbetura nga seancat e kaluara, si dhe do të raportojë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, rreth dialogut Kosovë – Serbi.

Ndërkaq, në interpelancë pritet të jetë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, i cili do të raportojë rreth përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor në situatën pandemike.

Në interpelancë në seancën e sotme do të jetë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, i cili pritet të raportojë në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Serbisë në territorin e Kosovës, saktësisht në fshatin Karaçevë të komunës së Kamenicës./Gazeta Sinjali/

Rendi i ditës

  • Deklarimet jashtë rendit të ditës,
  • Pyetjet parlamentare,
  • Raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi,
  • Interpelanca e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, sipas kërkesës së nënkryetares së Kuvendit, Arbërije Nagavci, e nënshkruar edhe nga 7 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor në kushte të pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës,
  • Interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës,
  • Shqyrtimi i parë i Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”,
  • Shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe i ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-221, me Ligjin nr. 04/L-116, me Ligjin 04/L-194, me Ligjin 05/L-063, dhe me Ligjin 05/L-007,
  • Shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në lidhje me Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe sporteve për vitin 2019,
  • Zgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës,
  • Zgjedhja e gjashtë (6) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore,
  • Propozimi i GP të PDK-së për zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar  në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës./Gazeta Sinjali/