Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, priti sot në një takim kryesuesit e bordeve dhe kryeshefat ekzekutivë të ndërmarrjeve publike qendrore, me të cilët bisedoi mbi sfidat që po përballen këto ndërmarrje në situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.
Ai me këtë rast ka inkurajuar ndërmarrjet publike qendrore për një performancë më të mirë, në mënyrë që të tejkalojnë sfidat dhe njëherësh të ofrojnë shërbime sa më të mira për qytetarët.
Hoti u zotua se Qeveria do t’u dalë në ndihmë ndërmarrjeve publike, pasi që është edhe aksionar, por në të njëjtën kohë kërkoi nga përfaqësuesit e tyre që të tregohen më efikas në menaxhim dhe kryerjen e detyrave.
Në këtë takim, Hoti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi./Gazeta Sinjali/