Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se është tepër e rëndësishme që sot deputetët të votojnë për miratimin e buxhetit të vitit 2020 dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për grante dhe kredi.
“Është tepër e rëndësishme që sot Kuvendi të miratojë buxhetin e rishikuar për 2020, si dhe të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare për grante dhe kredi”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Miratimi i këtyre dy çështjeve, sipas Hotit hap rrugën për t’ua dhënë paratë qytetarëve të papunë dhe bizneseve, si dhe për ta nisur zbatimin e programit të rimëkëmbjes ekonomike.
“Kjo na hap rrugë për të vazhduar me pagesën e masave të mëhershme për të papunë dhe biznese, si dhe për të nisur zbatimin e programit për rimëkëmbje ekonomike”, ka shkruar Hoti.
Ai ka shtuar se fondi për rimëkëmbje ekonomike prej 385 milionë euro është pjesë e këtij buxheti që pret të miratohet në seancën e sotme të Kuvendit që mbahet në orën 14:00. /Gazeta Sinjali