image Hoti tregon planin e qeverisë për t'u kthyer në normalitet

Politikë

Hoti tregon planin e qeverisë për t’u kthyer në normalitet

news image

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka pritur në takim përfaqësuesit e Odës së Mjekëve të Kosovës, të kryesuar nga kryetari Pleurat Sejdiu.

Në këtë takim, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kryeministri Hoti falënderoi profesionistët shëndetësorë të cilët që prej fillimit të pandemisë ishin në krye të detyrës duke kryer me sukses misionin e tyre.

“Për t’u rikthyer gradualisht në jetën tonë të zakonshme, duhet të krijohet një infrastrukturë mobile monitorimi dhe reagimi ndaj COVID-19 dhe ndoshta në të ardhmen, edhe ndaj epidemive të tjera”, tha Hoti.

Kjo infrastrukturë, siç tha ai, do të përfshijë kapacitetet për të kryer numër më të madh testesh si virologjike ashtu edhe serologjike, në popullatën e përgjithshme simptomatike dhe asimptomatike; krijimi i një strukture qendrore të mbikëqyrjes për analizën e të dhënave në kohë reale; forcimi i kapaciteteve regjionale të mbikëqyrjes epidemiologjike përmes qendrave të monitorimit periferik me shpërndarje në gjithë territorin, duke përfshirë zhvillimin e sistemeve “të inteligjencës epidemike”.

Hoti vlerësoi se vetëm një qasje e tillë e menaxhimit të pandemisë ku fillimisht vendoset kontrolli e pastaj vendosen masat për identifikim të hershëm të rikthimit të virusit, mundëson kthimin në normalitet.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Odës së Mjekëve të Kosovës e falënderuan Hotin për pritjen, duke thënë se mbështetja e qeverisë është e domosdoshme për përballimin me sukses të pandemisë COVID-19. Po ashtu, ata shprehën gatishmërinë e tyre që me tërë kapacitetin profesional dhe njerëzor të punojnë për luftimin e kësaj pandemie, duke bërë thirrje që qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe t’i respektojnë masat e nevojshme për ruajtjen e shëndetit, në veçanti duke i mbajtur maskat dhe duke e respektuar distancën fizike. /Gazeta Sinjali/